Përballja e parë pas 4 vitesh, statistikat favorizojnë Ronaldon karshi Ibrahimoviqit
Miq kurrë, por as armiq nuk mund t’i quash, duke qenë se edhe shtegtimi i tyre ka qenë mjaft i madh, edhe pse dy pika të vetme që mund t’i bashkojnë janë egoja e tyre, por edhe fakti që në karrierë kanë veshur që të dy fanellat e Manchetser Unitedin dhe atë të Juventusit.
Zlatan Ibrahimoviq dhe Cristiano Ronaldo, ndonëse i kanë lënë pas tashmë të 35-at (suedezi është 38 e gjysmë), janë akoma në formë madhështore dhe pavarësisht se në ringun e “San Siro”-s do të zbresin Milani dhe Juventusi, është e pashmangshme që dueli të profilizohet sidomos te këta dy kampionë absolutë, të cilët nëse nuk do të kishte qenë për përplasjen në Kupën e Italisë, do të ishin ndeshur vetëm më 11 prill, për Serie A. Ndërsa sipari i duelit ka nisur që të ngrihet edhe pritshmëritë sa vijnë e shtohen, ashtu sikurse emocionet e një rivaliteti që pritet të jetë i fortë në fushë, edhe pse portugezi i Juventusit, ndonëse është thumbuar shumë herë më shumë nga suedezi i Milanit, e nis në avantazh duelin e sotëm. Sfidat direkte Nëse bëjmë një xhiro mes statistikave, ato nënvizojnë se Zlatan Ibrahimoviç dhe Cristiano Ronaldo do të kthehen të përballen mes tyre pas diçkaje më shumë se 4 vitesh.
Përplasja e fundit ka ndodhur më 3 nëntor 2015, në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, Real Madrid – PSG 1:0, një 90-minutësh në të cilin askush prej tyre nuk la shenjë në ndeshje, por goditje dhe kundërgoditje kanë ditur që t’i japin në të kaluarën më të hershme, shkruan panorama sport.
Kjo e sotmja mes të dyve do të jetë sfida e 12-të në karrierë, por CR7 ka një avantazh të theksuar ndaj Ibrës, me 5 fitore, 5 takime kanë përfunduar në barazim dhe vetëm 1 sukses për milanistin (Ibra vuloste klasiken e vitit 2009, kur luante për Barcelonën, kur goli i tij mjaftoi të mundte Realin e Ronaldos).
Në këto 11 takime mes tyre, përpara telekamerave ka përfunduar më së shumti sulmuesi aktual i Juventusit, me festimet e tij, pas 6 golave të realizuar, ndërsa bomberi i Milanit ka realizuar 3 gola. Këta dy fenomene absolute, në duelet e tyre direkte kanë vënë në skenë një ndër ndeshjet ndoshta më të bukura të mijëvjeçarit të ri, e cila do të mbahet mend gjatë: më 19 nëntor 2013 luhej sfida e kthimit e “play off”-it, e cila do të dhuronte biletën për në Botërorin “Brazil 2014”, një 90- minutësh ku Zlatani realizoi një dopietë fantastike, por Ronaldo shkoi edhe më tej, duke festuar një tripletë të cilat vendosën rezultatin 3-2 final dhe la pa Kupë Bote suedezin. Gjithsesi, çdo ditë e re dhe çdo ndeshje është gjithmonë një histori më vete, prandaj pse jo, sot në mbrëmje, Ibra ka shansin e revanshit, ndërsa CR7 ka mundësinë që t’i japë një tjetër leksion gjigantit nga Malmo.