Ndërron jetë ish-sportisti i njohur shqiptar

Ndërron jetë ish-sportisti i njohur shqiptar

Sport February 12, 2020 - 18:01
Lajmet e fundit nga sporti

Është ndarë papritur nga jeta, në moshën 67-vjeçare, ish-kampioni dhe rekordmeni i atletikës shqiptare, Arben Papuli. Ai ka qenë atlet i klubit sportiv 17 Nëntori, anëtar i ekipit kombëtar, anëtar i Komitetit Drejtues të Federatës së Atletikës.

Një karrierë e shkëlqyer e nisur në moshë të re, për të vijuar protagonist absolut i kërcimeve gjatë periudhës së viteve ’70-’80. Përfaqësues i një brezi të artë, të mrekullueshëm e pasionant atletësh, shumë shpejt trajneri i njohur S. Ramku do të spikaste talentin e Papulit, shkruan "Panorama Sport". 

Me një start shumë të vrullshëm, pa u ndalur, spektatorët e pranishëm në stadiumet shqiptare, pistat dhe gropat e kërcimit të atletikës së lehtë do të shihnin një rekordmen. Jo vetëm në garën e kërcimit së gjati (7.37 m, shifra të larta për kohën), por një kampion në 3-hapësh dhe vrapuesin, anëtarin e stafetës 4×100 m për meshkuj.

Atlet i bukur, fizik i admirueshëm, elegant, bashkë me Mullën, Rulin, Rakipin, Cukën do t’i jepnin një dimension të ri dhe modern atletikës, në veçanti disiplinës së hedhjeve. Një jetë aktive, tejet profesioniste, model për atletë të rinj e brezat që e pasuan, krahas sportit, ai do të ishte i angazhuar dhe në edukimin shkollor, si inxhinier në degën e kimisë, i diplomuar në USHT. Shumë korrekt dhe human, i edukuar, i dashur, kampion dhe rekordmen, por edhe një biznesmen tejet i suksesshëm, kështu do ta kujtojmë të gjithë Arben Papulin.

Image