Vazhdojnë polemikat rreth FFK-së, Agim Ademi takohet me klubet e pakënaqura të Superligës

Vazhdojnë polemikat rreth FFK-së, Agim Ademi takohet me klubet e pakënaqura të Superligës

Sport February 12, 2020 - 09:38

Klubet e Superligës së Kosovës në futboll të martën janë takuar me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Klubet e pakënaqura të Superligës, sipas trajnerit dhe donatorit të Llapit Tahir Batatinës, kërkojnë që pas ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në muajin mars të përfaqësohen në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, deklaron se FFK-ja është e hapur t’i dëgjojë të gjitha kërkesat e klubeve

Shpatmal Krasniqi

Futbolli kosovar nuk po mund të gjejë qetësi. Klube të Superligës së Kosovës në futboll vazhdojnë të kenë pakënaqësi me mënyrën e udhëheqjes së Federatës së Futbollit të Kosovës.

Më 27 janar të vitit të kaluar disa klube kosovare kërkuan të bëhen ndryshime në statutin e FFK-së, ku kërkuan të përfaqësohen në Komitetin Ekzekutiv. Një gjë e tillë nuk u miratua, ndërkohë që anëtarë të KE-së u zgjodhën kryetarët e lidhjeve rajonale të futbollit.

Me 37 vota pro është zgjedhur Komiteti Ekzekutiv i ri për katër vjetët e ardhshëm.

Komiteti Ekzekutiv i ri i FFK-së u votua nga më shumë se 50 për qind e delegatëve, që ishin në sallë. Kuvendin Zgjedhor i FFK-së nisi me tensione.

Anëtarët e KE-së të FFK-së janë: Bakir Burri, Agim Dibrani, Predrag Jovic, Xhelal Broja, Mirsad Qollaku, Naser Ajeti, Iljaz Mjaku, Vjollca Krasniqi, Flamur Bunjaku, Ismajl Ajeti dhe Agim Nura. Ata kanë mandat katërvjeçar, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Pa u votuar rendi i ditës në Kuvendin Zgjedhor për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së pati përplasje mes kryetarit Agim Ademit dhe disa prej delegatëve të klubeve të Superligës.

Ademi kërkoi mocion votëbesimi nga delegatët e pranishëm në Kuvend, por kundërshtimet ishin të mëdha nga delegatët e Llapit, të Trepçës ’89, të Ballkanit e të disa të tjerave.

Pas shumë diskutimeve kreu i FFK-së nuk u lejua të kërkojë mocion votëbesimi nga delegatët për mandatin e tij.

Tahir Batatina: Nëse nuk realizohen kërkesat tona do të largohemi nga garat

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, të martën, në zyrat e FFK-së, u takua me klubet e Superligës së Kosovës në futboll, shkruan Zëri.info.

Ky takim zhvillohet pas shumë polemikave, që ishin në Kuvendin Zgjedhor për Komitet Ekzekutiv të FFK-së, të zhvilluar më 27 janar e ku disa klube të Superligës shprehin pakënaqësi të shumta me këtë Komitetet, duke kërkuar që ato të përfaqësohen në KE.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, trajneri i Llapit dhe donatori i këtij klubi, Tahir Batatina, e ka konfirmuar takimin.

Batatina thotë se klubet në këtë takim do t’i kenë dy kërkesa. “Do të kërkojmë si fillim që mbarëvajtja e kampionatit të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi dihet se mund të këtë parregullsi. Kërkesa jonë e dytë është që ne klubet e Superligës të përfaqësohemi në Komitetin Ekzekutiv, pasi në këtë mënyrë mund t’i kontrollojmë mjetet tona financiare. Për shkak të Përfaqësueses së Kosovës në futboll do të kërkojmë që një gjë e tillë të ndodhë pas ndeshjeve të Kosovës në muajin mars, që janë shumë të rëndësishme dhe nuk duam që në këtë kohë të shkaktojmë trazira”, ka thënë Tahir Batatina për gazetën “Zëri”.

Ai ndër të tjera tha se nëse nuk realizohet një kërkesë ë tillë gjashtë klube të Superligës do të largohen nga garat. “Ne do ta bojkotojmë Kampionatin nëse nuk realizohet një gjë e tillë. Prishtina, Llapi, Ballkani, Drenica dhe Ferizaj janë për ndryshime”, potencoi Tahir Batatina.

Në pyetjen e gazetës se kush e ka thirrur këtë takim, Batatina tha se takimi është thirrur nga Agim Ademi.

Eroll Salihu: Do t’i dëgjojmë kërkesat e klubeve

Gazeta ka tentuar të bisedojë edhe me presidentin e FFK-së Agim Ademin, mirëpo telefoni i tij nuk kishte qasje. Ndryshe, takimin në fjalë e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. Ai ka deklaruar se në këtë takim janë të ftuara të gjitha klubet e Superligës.

“Ky është takim i zakonshëm, që gjithmonë bëhet para fillimit të Kampionatit. Ne do t’i dëgjojmë dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha kërkesat e klubeve. Jemi të hapur për një gjë të tillë”, ka deklaruar Eroll Salihu./Zëri.info