‘Shpërthen’ Arben Fetahu: Klubet serbe nuk mund të futen në Kosovë në këtë mënyrë
Klubit të basketbollit nga Serbia, Sloge, i është ndaluar hyrja në territorin e Kosovës, shkruan Zëri.info.
Basketbollistët e Slogës u kthyen mbrapsht nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Jarinë.
Kjo nuk është hera e parë që Slogës i ndalohet hyrja në Kosovë. Muajin e kaluar, klubi nga Batocine ishte kthyer nga kishte ardhur për të njëjtat arsye.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka sqaruar këtë rast. “Pa lejen e FBK-së dhe Policisë së Kosovës nuk mund të hyjë asnjë skuadër në territorin e Kosovës. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe ne kemi reaguar edhe në FIBA. Një tjetër ndalesë të tillë e kemi patur edhe me 24 janar për një tjetër ekip serb”, ka thënë Arben Fetahu për RTV Dukagjini, përcjell Zëri.info.
“Lidhur me këtë çështje nuk kemi komunikuar me federatën e Serbisë. Ne u kemi dërguar letër edhe atyre edhe FIBA-s që në Kosovë mund të vijnë që të luajnë vetëm ndeshje ekskbicionale, por më parë duhet të bëhet kërkesë”, shtoi Fetahu.
Ky është vetëm rasti i fundit në një varg ndalesash që policia kosovare ua bën klubeve serbe të sportit, të cilat qëllimshëm përpiqen të futen në territorin fqinj për të zhvilluar ndeshje garuese me klubet serbe të Kosovës pa kërkuar leje dhe duke i shkelur rregullat. /Zëri.info