Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës i ndan çmimet për vitin 2019, Kushtrim Krasniqi e fiton çmimin kryesor

Sport January 31, 2020 - 21:40

Gazeta Olle ka fituar çmimin kryesor të vitit 2019 për gazetari sportive në vend, në ceremoninë e organizuar nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës.

Çmimin “Ali Shala”, kushtuar doajenit të gazetarisë sportive Ali Shala, e ka fitoi Kushtrim Krasniqi, tashmë ish-gazetar i Gazetës Olle, me shkrimin: “Ndodh tek Trepça: Afrikani që erdhi si përforcim, përfundoi në ndërtimtari për kafshatën e gojës”.

Shkrimi i cili kishte bërë bujë edhe në mediat ndërkombëtare, tregonte për historinë e jashtëzakonshme të afrikanit Theo Fodjo Lali, i cili kishte ardhur në Kosovë për të luajtur futboll, por që kishte përfunduar si punëtor fizik i një kompanie ndërtimi në Mitrovicë.

Ndodh tek Trepça: Afrikani që erdhi si përforcim, përfundoi në ndërtimtari për ‘kafshatën e gojës’! (FOTO/VIDEO)

Sot janë ndarë edhe çmimet tjera si kronika më e mirë televizive, e cila i takoi Naim Selmanit të Klan Kosovës, ndërsa fotografia më e mirë shkoi për fotografin Shpend Ahmeti.

Image

Gazetari më i mirë i ri u vlerësua Ndrec Gjonaj nga RTV Dukagjini.

SHGSK nderoi edhe gazetarin e mirënjohur, Gani Kosumi, ish-kryetarët e SHGSK, Milaim Krasniqi e Arlind Grantolli si dhe sponsorët që i qëndruan afër shoqatës.

Në ceremoni të pranishëm ishin presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, kampioni Olimpik, Shaban Tërstena, legjenda e futbollit shqiptar, Sylejman Demollari dhe figura tjera të shquara të sportit dhe gazetarisë mbarëshëshqiptare.

Sot SHGSK organizoi edhe turneun “Burim Hatipi”, të cilin e fitoi skuadra e veteranëve të Prishtinës, duke mundur në finale ekipin e gazetarëve sportivë.