Shkëlqimi dhe rënia e klubeve emblemë nga Rrafshi i Dukagjinit
FOTO: Laura Hasani

Shkëlqimi dhe rënia e klubeve emblemë nga Rrafshi i Dukagjinit

Sport January 21, 2020 - 08:09

Klubet emblemë në futbollin e Kosovës, si: Vëllaznimi i Gjakovës, Liria e Prizrenit dhe Besa e Pejës, nuk po shndritin si dikur. Këto klube që janë sinonim i futbollit kosovar së bashku edhe me Prishtinën e me Trepçën tash e disa vite po shëtisin pa sukses herë në Superligë e herë në Ligën e Parë. Trajnerë e ish-futbollistë thonë për gazetën “Zëri” se është mëkat që nuk po gjenden njerëzit e duhur për t’i vënë në binarë klubet nga Rrafshi i Dukagjinit, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Shpatmal Krasniqi

Futbollisti i parë shqiptar, i cili ka marrë pjesë në një kampionat botëror, është Ardian Kozniku. Ish-sulmuesi i mirënjohur me famë ndërkombëtare e fitoi medaljen e bronztë me Kroacinë në Botërorin e organizuar në Francë në vitin 1998. Gjakovari Kozniku e ka nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës në vitin 1979. Sot skuadra “Kuqezi” ndodhet në gjendje të mjerueshme.

“Më dhemb zemra për gjendjen, në të cilën është Vëllaznimi. Gjithçka më lidh më Vëllaznimin, pasi edhe babai im e ka nisur dhe e ka përfunduar karrierën aty, vëllai dhe daja kanë luajtur për Vëllaznimin. Duhet thënë se talentet më të mëdha të futbollit nga Kosova kanë dalë nga Gjakova. Pa Vëllaznimin nuk ka hijeshi Superliga e Kosovës. Lutem dhe shpresoj se gjendja të rregullohet”, ka thënë Ardian Kozniku në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Historia e futbollit të Kosovës lidhet me klubet nga Rrafshi i Dukagjinit. Dikur klubet, si: Vëllaznimi, Liria e Prizrenit dhe Besa e Pejës i kanë dhënë shumë futbollit të Kosovës, atij shqiptar, por edhe atij evropian. Shumë futbollistë nga ky rajon kanë bërë karrierë në Evropë. Krahas Koznikut, te Vëllaznimi e ka nisur karrierën Besnik Hasi, kurse te Liria Kujtim Shala e Fatos Beqiraj te Besa.

Image

Në vitet e fundit futbolli në këtë trevë të Kosovës ka rënë shumë. Sot dy komuna të vogla të Kosovës e përfaqësojnë këtë rajon në elitë. FC Ballkani dhe Dukagjini i Klinës janë kthyer në kohën kur regjioni, Rrafshi i Dukagjinit, ka përfaqësim fare të vogël në Superligë. Kështu Dukagjinit dhe Ballkanit të Suharekës u ka rënë barra për ta përfaqësuar denjësisht në Superligë rajonin e madh të Rrafshit të Dukagjinit.

Besa e Vëllaznimi ishin pranë të kthehen në elitë (edicionin e kaluar), por i humbën ndeshjet e barazhit nga Gjilani e Trepça ’89. Liria ishte në elitë, por ra në Ligën e Parë. Dukagjini përfundoi edicionin në vendin e dytë në Ligën e Parë dhe kështu së bashku me Vushtrrinë u kthyen në elitë. Ballkani po korr suksese në elitë teksa në vjeshtë është shpallur kampion vjeshtor për dallim nga skuadra e Dukagjinit që pranverën në futbollin e Kosovës do ta nisë nga pozita e fundit.

Genc Hoxha: Nuk kanë qenë njerëzit e duhur në pozitat e duhura

Genc Hoxha është një ndër trajnerët më të suksesshëm në futbollin e Kosovës. “Timonieri” nga Gjakova i ka drejtuar disa skuadra kosovare derisa me Besën e Pejës i ka fituar dy tituj të kampionit radhazi në edicionet 2005 - 2006 dhe 2006 - 2007. Krizën e klubeve të mëdha nga Dukagjini, Hoxha e vlerëson në këtë mënyrë. “Klubet sinonim të futbollit të Kosovës po mungojnë. Krahas Lirisë, Vëllaznimit, Besës po mungon edhe Trepça, që së bashku me Prishtinën e kemi bërë atë pesëshen e madhe në Kosovë. Mendoj se fajet për krizën e madhe të klubeve nga Rrafshi i Dukagjinit e ka faktori njeri. Nuk kanë qenë njerëzit e duhur në pozitat e duhura. Tashmë vendin e klubeve të mëdha, si: Vallznimi, Liria dhe Besa e kanë zënë skuadrat më të vogla e të cilat meritojnë respekt për investimet që i kanë bërë”, ka thënë Genc Hoxha të hënën për gazetën “Zëri”.

Hoxha, që tashmë punon si ndihmës i përzgjedhësit Bernard Challandes në Përfaqësuesen e Kosovës, vlerëson se elitës së futbollit kosovar po i mungojnë klubet e mëdha. “Dihen tifozeritë e mëdha që i kanë këto klube dhe rivalitetin e madh që e kanë e që i sjellin bukuri futbollit. Mbetem me shpresë se do të gjenden njerëz dhe të rikthehen dhe të stabilizohen këto skuadra aty ku e kanë vendin”, potencoi Genc Hoxha.

Vëllaznimi nuk ka shumë shpresa që të rikthehet as në edicionin e ardhshëm në Superligë, pasi e ka përfunduar stinorin vjeshtor në vendin e 13-të në Ligën e Parë më 16 pikë.

Shengyli: Këto klube meritojnë të drejtohen nga njerëz seriozë

Mungesën e Lirisë, të Vëllaznimit dhe të Besës në Superligë e ka vajtuar edhe trajneri prizrenas, Skënder Shengyli. “Më kujtohet si fëmijë që nga vitet e ’70-ta e pastaj edhe në të ’80-ta, rivaliteti i madh i cili ka qenë në mes këtyre klubeve. Sot po mungon një gjë e tillë në futboll”, nis bisedën për “Zërin” Skënder Shengyli.

Ish-trajneri i disa skuadrave kosovare i zbulon arsyet se pse ka ardhur një gjendje e tillë. “Klubet nuk e kanë pasur një menaxhim të mirë. Nëse ka ardhur një president, nuk i ka marrë njerëzit e duhur që marrin vesh në futboll, por i ka besuar filanit e fishekut. Nuk kanë bërë projekte afatgjate, por njëvjeçare dhe normalisht se kanë dështuar”, vlerësoi Shengyli.

Sipas tij, edhe nëse këto skuadra (Liria, Vëllaznimi dhe Besa) rikthehen në elitë, nuk duhet që të entuziazmohen. “Këto klube meritojnë të drejtohen nga njerëz seriozë, të cilët bëjnë projekte serioze për të arritur suksese në mënyrë që të luftojnë për trofe”, pohoi Skënder Shengyli.

Image

Klubi i zemrës së Shengylit, Liria, do ta nisë pranverën në Ligën e Parë nga vendi i tretë me 26 pikë, dy më pak se lideri Besa.

Zeka: Është mëkat që klubet e mëdha nga Rrafshi i Dukagjinit nuk po garojnë në elitë

Sa herë përmendet emri e tij, mendja na shkon te Besa e Pejës dhe te golat. Fjala është për ish-sulmuesin Haxhi Zeka, i cili për vite më radhe ka qenë një ndër sulmuesit më të rrezikshëm në futbollin e Kosovës. Zeka i ka shijuar të gjithë titujt e mundshëm në futbollin e Kosovës me Besën, ndërkohë që tashmë punon në shtabin teknik te kjo skuadër. Zekës i vjen shumë keq që klubet e mëdha nuk janë momentalisht në elitë. “Dihet se klubet e mëdha nga Rrafshi i Dukagjinit po i mungojnë shumë elitës së futbollit kosovar. Gjithçka ka qenë dhe është e varur nga kushtet dhe nga buxhetet. Është mëkat për klubet, qytetet dhe tifozerinë që klubet e mëdha nga rajoni i Dukagjinit nuk po garojnë në elitë”, theksoi Haxhi Zeka për t’u ndalur te Besa. “Mund të flas për Besën. Ne jemi në rrugë të mirë për t’u rikthyer në elitë, pasi kemi krijuar kushte shumë të mira. Besoj fuqishëm në projektin e klubit”, vlerësoi ish-futbollisti që ka tmerruar portierët kosovarë.

Besa e Pejës në stinorin vjeshtor në Ligën e Parë ka treguar rezultate shumë të mira derisa e ka mbyllur kampionatin në pozitën e parë me 28 pikë të grumbulluara.

Vëllaznimi nuk ka shumë shpresa të rikthehet as në edicionin e ardhshëm në Superligë, pasi e ka përfunduar stinorin vjeshtor në vendin e 13-të në Ligën e Parë, me 16 pikë. Liria do ta nisë pranverën në Ligën e Parë nga vendi i tretë me 26 pikë, dy më pak se lideri Besa. Besa e Pejës në stinorin vjeshtor në Ligën e Parë ka treguar rezultate shumë të mira, derisa e ka mbyllur kampionatin në pozitën e parë me 28 pikë të grumbulluara.

Sukseset e klubeve nga Rrafshi i Dukagjinit pas pavarësimit të futbollit të Kosovës

Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, pikërisht në vitin 1991 futbolli kosovar ishte në zenitin e saj dhe kishte vazhdimisht 4-5 klube në të dyja ligat federative. Por përkeqësimi i situatës politike reflektohej edhe në sport. Ishte gati e pamundur të luhej më futboll, e sidomos jo në Kosovë. Kjo bëri që në gusht të vitit 1991 klubi më i mirë i Kosovës – Prishtina, me një traditë të ndritshme në Ligën e parë jugosllave, të braktisë Ligën Profesioniste të Jugosllavisë, sepse nuk kishte më garanci për sigurinë as të lojtarëve, as të zyrtarëve të tjerë, por as të simpatizuesve kosovarë. Që nga ai vit futbolli kosovar është pavarësuar. Klubet nga Rrafshi i Dukagjinit kanë arritur disa suksese. Besa e Pejës e ka fituar tri herë titullin kampion, në vitet 2004 - 2005, 2005 - 2006 dhe 2006 - 2007. Dukagjini (Klinë) është shpallur kampion në edicionin 1993 – 1994, kurse Liria në edicionin pasardhës 1994 - 1995. Edhe sa i përket Kupës së Kosovës që nga viti 1991 Besa është skuadra që më së shumti e ka fituar këtë trofe sa i përket skuadrave nga Dukagjini. Në edicionet

2004 - 2005, 2010 - 2011 dhe 2016 - 2017 pejanët e kanë dërguar në shtëpi Kupën. Liria e ka shijuar Kupën në dy edicione, 2006 - 2007 dhe 2009 - 2010, kurse Vëllaznimi e ka fituar Kupën në edicionin 2007 - 2008./Zëri.info