Klubet në borxhe, futbollistët zgjidhjen e kërkojnë në FFK

Klubet në borxhe, futbollistët zgjidhjen e kërkojnë në FFK

Sport January 20, 2020 - 15:44
Ditëve të fundit ankesat në shtëpinë e futbollit në Kosovë (FFK) janë rritur. Janë disa futbollistë vushtrrias që të premten kanë vizituar FFK-në, prej së cilës kanë kërkuar ndërhyrje dhe ndihmë për t’ua mundësuar marrjen e pagave që ua ka borxh skuadra e Vushtrrisë, shkruan gazeta “Zëri”

Kriza financiare në disa klube kosovare vazhdon të sjellë shumë telashe edhe për futbollistët, edhe për Federatën e Futbollit të Kosovës. Menaxhimi jo si duhet i situatës po bën që klubet të ofrojnë lojtarë me paga të majme e që në fund nuk po mund t’i përballojnë duke u mbetur borxh atyre. Ditëve të fundit ankesat në shtëpinë e futbollit në Kosovë (FFK) për këtë çështje janë rritur. Janë disa futbollistë vushtrrias që të premten kanë vizituar FFK-në, prej së cilës kanë kërkuar ndërhyrje dhe ndihmë për t’ua mundësuar marrjen e pagave që ua ka borxh skuadra e Vushtrrisë. Futbolli kosovar edhe në të kaluarën është përballur me gjera të tilla, ndërsa më e freskët në memorie është Besa e Pejës e cila për mospërmbushje të kontratave vitin e kaluar u dënua me heqje pikësh nga Disiplinori i FFK-së. Federata e Futbollit e Kosovës këmbëngul në respektimin e rregulloreve, derisa këtë çështje e cilëson si mjaft të ndjeshme, gjithmonë duke pasur parasysh edhe vështirësitë e mëdha që kanë donatorët për t’i mbajtur gjallë klubet.

Çështja “Vushtrria” shkon në FFK

Njëra nga skuadrat më me traditë në futbollin tonë - Vushtrria po përballet me telashe shumë të mëdha. Sikur të mos i mjaftonte asaj largimi i lojtarëve, tash pothuajse komplet ekipi është ankuar në FFK, përkatësisht në Komisionin Disiplinor, ku kërkon marrjen e pagave që u ka mbetur borxh klubi. Të premten e kaluar lojtarët i janë drejtuar zyrave të Federatës së Futbollit të Kosovës për të kërkuar ndihmë, derisa këtë çështje thonë se do ta çojnë deri edhe në CAS, pasi nuk e kanë ndërmend ta falin borxhin. "Klubi na kishte dy paga borxh. Të gjithë futbollistët kemi qenë të premten për t'u konsultuar në FFK për hapat që duhet t'i ndërmarrim. Kur kemi hyrë në FFK për ankesë na është paguar 70 për qind e një page. Tash na kanë borxh edhe një pagë dhe 30 për qind të një page tjetër. Me çështjen tonë janë duke u marrë kryetari (Bajrush Kajtazi) dhe Eroll Salihu (sekretar i përgjithshëm i FFK-së)", i ka thënë gazetës “Zëri” një futbollist i Vushtrrisë në kushte anonimiteti. "Nëse këta nuk bëjnë asgjë ne do të angazhojmë edhe avokat dhe nuk do të ndalemi derisa t'i marrim pagat që na takojnë. Do ta dërgojmë këtë çështje deri në Inspektorat të Punës. Kemi të drejtë dhe nuk do t'ia falim borxhin askujt", kanë deklaruar disa lojtarë, duke zbuluar se pagat e muajve shtator dhe tetor të vitit të kaluar i kanë marrë 20 për qind më pak.

Telashet për gazetën “Zëri” sikur i ka konfirmuar edhe kryetari i klubit vushtrrias Bajrush Kajtazi, i cili tha se mungesa e rezultateve dhe tejkalimi i buxhetit ka bërë që ata të ndryshojnë strategjinë e punës dhe tash të mendojnë vetëm për gjeneratat e reja dhe të përgatiten për kampionatin 2021 - 2022. “Mungesa e rezultateve dhe tejkalimi i buxhetit të planifikuar ndikuan në ndryshimin e strategjisë. Në fakt që nga dita e parë objektivi ynë ka qenë dhe mbetet akademia e klubit. Ne gjithçka kemi filluar nga zeroja. Kur e kam marr ekipin kam qenë i gatshëm dhe në momentet e fundit kam realizuar disa përforcime”, ka thënë Kajtazi për gazetën “Zëri”.

Image

Deri më tash nga klubi vushtrrias janë larguar: Dior Zabërgja, Alush Gavazaj, Qëndrim Gashi, Petrit Tahiri, Bashkim Shala, Ismet Caka, Bajram Zuqaku, Klevis Lushaku, Ledjon Mucaj, Jasmin Raboshta, Ian Agusto, Ygor Vinicius, Matheus De Paula, Kujtim Pantina, Rinor Karaqa, Etrit Halimi, Duat Maxhuni, Besfort Dervishaj, Djellon Dragusha.

FFK: Nuk lejojmë shkeljen e rregulloreve

Gazeta “Zëri” mga burime të afërta me Federatën e Futbollit të Kosovës mëson se në Komisionin Disiplinor janë deponuar edhe disa ankesa, që vijnë në adresë të klubeve të tjera dhe kjo situatë nuk është e këndshme as për Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila i kupton vështirësitë e donatorëve, por sigurisht se nuk lejon as të shkelet djersa e futbollistëve. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, në një bisedë me gazetën “Zëri” ka thënë se personalisht po merret me këto çështje, në mënyrë që të gjejë zgjidhjen më të mirë para se të vihet te zbatimi i akteve normative ku ato parashohin dënime të mëdha për shkelësit e rregulloreve. “Është situatë shumë e ndjeshme. Federata e Futbollit e Kosovës është përballur edhe në të kaluarën me gjëra të tilla që vërtet janë bukur të ndjeshme. Gjithsesi në kemi aktet normative të bazuara në ato të FIFA-s, që sqarojnë këto situata dhe kemi një komision profesional i cili merret me këto gjëra, madje njëri prej anëtarëve të atij Komisioni është edhe prokuror dhe e njeh shumë mirë këtë situatë”, ka thënë Salihu për gazetën “Zëri”.

Image

“Ju e dini se në të kaluarën telashe të tilla kemi pasur me Besën e Pejës dhe pas shumë konsultimeve e përpjekjeve të mëdha si Federatë për të gjetur një zgjidhje të favorshme nuk kemi shkuar në masa ekstreme, pasi shumë lehtë Besa edhe ka mundur të përjashtohet nga liga. Pra siç jeni të njoftuar e kemi dënuar me heqje pikësh. Nuk kemi dashur ta sjellim një dënim ekstrem, duke e ditur traditën dhe sukseset e Besës në futbollin tonë. Në anën tjetër Federata mbron edhe interesat e futbollistëve dhe kur e shohim që nuk kemi rrugë të tjera, atëherë duhet të bazohemi në aktet normative që posedojmë. Sipas Rregullores nëse një lojtar nuk paguhet për dy muaj ai paraqet ankesë dhe ne ia shkëputim kontratën dhe pastaj vazhdohet me procedurat të tjera deri në dënim me përjashtim të klubit nga liga”, ka njoftuar sekretari i FFK-së, duke folur më pas edhe për situatën më të re - atë të lojtarëve të Vushtrrisë. “Duhen kuptuar edhe sponsorët pasi është vështirë edhe për ta kur dihet në çfarë kushtesh funksionojnë, por edhe klubet duhet ta kenë parasysh kur t’i bëjnë kontratat a munden ose jo t’i përmbushin, pasi mospërmbushja e tyre sjell një dënim të rëndë për to. Sa i përket rastit të futbollistëve të Vushtrrisë unë personalisht jam duke u marr me këtë situatë, pasi edhe vetë kam qenë futbollistë dhe e di ndjenjën e tyre. Por kjo gjendje është bukur e komplikuar. Klubi e ka dhënë pagën, por me 30 për qind minus, pasi ishin disa klauzola që kanë ata në kontrata. Ne do të bisedojmë me kryetarin e klubit Bajrush Kajtazin. Ai është një donator shumë korrekt dhe një njeri shumë i përgjegjshëm, kështu që do të shohim dhe do të mundohemi ta bëjmë zgjidhjen më të mirë për të dyja palët. Federata është e përkushtuar të bëjë gjithmonë zgjedhjen më të mirë duke mos dëmtuar as klubet e aq më shumë futbollistët, gjithmonë duke e kuptuar gjendjen në të cilën funksionojnë”, ka përfunduar Salihu. /Zëri.info