Kualifikimi në ‘Euro 2020’ me Kosovën dhe e ardhmja në Werder Bremen, Milot Rashica rrëfehet për gazetën gjermane
Milot Rashica e presin muaj të rëndësishëm. Me Werder Bremenin, sulmuesi nga Kosova është në një ‘betejë largimi’, derisa me Përfaqësuesen e Kosovës shpreson të marrë pjesë në Kampionatin Evropian ‘Euro 2020’.
Për sulmuesin e Werder Bremenit, Milot Rashica, pjesëmarrja në Kampionatin Evropian me Kosovën do të ishte suksesi më i madh për të në karrierë, shkruan Zëri.info.
“Ne do të bënim histori”, ka thënë Rashica në një intervistë për “Deutschen Presse-Agentur”, tani që ndodhet në Mallorca me skuadrën e tij për përgatitjet dimërore.
“Futbollisti dhe Përfaqësuesja janë gjëra të mëdha në Kosovë. Kur ne luajmë atje, askush nuk shkon në punë. Të gjithë janë në stadium ose para televizorit”, tregon më tej Rashica me euforinë për atdheun e tij.
Kosova përfundoi në vendin e tretë në eliminatoret e Kampionatit Evropian “Euro 2020” pas Anglisë dhe Republikës së Çekisë, por është në ‘play-off’ të Ligës së Kombeve.
Aty, Rashica dhe bashkëlojtarët e tij do të luajnë ndaj Maqedonisë së Veriut më 26 mars.
Në rast të fitores, fituesi i duelit Gjeorgji – Bjellorusi do të ishte kundërshtari i Kosovës në finalen që do ta shpallte skuadrën tjetër të kualifikuar për ‘Euro 2020’.
“Unë mendoj se kemi gjasa. Nëse e shihni se si luajtëm në eliminatoret e fundit dhe në Ligën e Kombeve, ne treguam se mund të vazhdojmë më tutje”, theksoi 23-vjeçari.
Përveç pjesëmarrjes së mundshme në ‘Euro 2020’, Rashica mund të largohet nga Werder Bremeni në verë.
“Do të ishte një verë e përkryer nëse do të mund të përfundonim të dyja misionet. Unë jam i bindur se do të kemi sukses”, përfundoi futbollisti nga Vushtrria./Zëri.info