Ferizaj në krizë financiare, drejtori konfirmon borxhet

Ferizaj në krizë financiare, drejtori konfirmon borxhet

Sport December 12, 2019 - 09:11

Skuadra e Ferizajt duket se do ta nisë me shumë probleme afatin kalimtar të janarit. Ferizajasit, që këtë kampionat synim të vetëm e kanë mbijetesën në elitën e futbollit kosovar, vazhdojnë të përballen me krizë të madhe financiare, ani pse klubi ka pronar të huaj, siç është anglezi Brian Deane, i cili kur mori drejtimin e skuadrës paralajmëroi investime të mëdha, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Ejup Llumnica

Gazeta “Zëri” merr vesh se klubi e ka mbyllur stinorin vjeshtor me një borxh bukur të madh ndaj lojtarëve e këtë e kanë thënë edhe vetë futbollistët në kushte anonimiteti.

“Nuk e kanë përmbushur asnjë pikë të marrëveshjes sipas kontratës që kemi. Janë dy paga borxh dhe ne po presim të na thërrasin për t’i shlyer borxhet, ndryshe është e pamundur të vazhdojmë”, i ka thënë gazetës “Zëri” në kushte anonimiteti një futbollist i Ferizajt.

Krizën te klubi ferizajas ditë më parë e ka konfirmuar edhe trajneri Bekim Isufi, i cili pas ndeshjes me Drenicën pati thënë se nuk beson që do të vazhdojë në këtë mënyrë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Drejtori i pranon borxhet

Borxhet e skuadrës ndaj futbollistëve i ka pranuar edhe drejtori i Ferizajt, Nadir Haxhimusa, i cili në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se shumë shpejt do të ulen dhe do t’i diskutojnë të gjithë hapat që do t’i ndërmarrin në vazhdim. “Është e vërtetë që i kemi disa borxhe ndaj lojtarëve, do të ulemi me ta dhe me trajnerin Bekim Isufi, ose në rast të ardhjes së ndonjë trajneri tjetër, për t’i diskutuar të gjitha çështjet, duke përfshirë këtu edhe përforcimet në afatin kalimtar të janarit”, ka thënë Haxhimusa, shkruan Zëri.info.

Më tutje Haxhimusa ka folur edhe për të ardhmen e trajnerit Bekim Isufi, për të cilin thotë se klubi është i kënaqur me punën e tij, derisa pajtohet edhe më deklaratën e trajnerit, i cili ka thënë se duhet përmirësuar kushtet nëse dëshirohet vazhdimi i punës. “Trajneri Bekim Isufi ka shumë të drejtë që ankohet, pasi askush nuk dëshiron të punojë pa kushte dhe ne e kuptojmë.

Gjithsesi ne shumë shpejt do të diskutojmë edhe me trajnerin dhe do të vendosim bashkë për të ardhmen. Ajo që mund të them tash është se ne jemi të kënaqur me punën e trajnerit Bekim”, ka përfunduar Nadir Haxhimusa.

Image

Të kujtojmë se stinorin vjeshtor Ferizaj e mbylli në pozitën e dhjetë, me 18 pikë të tubuara pas 17 ndeshjeve, pozitë kjo që nuk u lejon shumë komoditet.

Ndonëse në fillim të edicionit erdhën aksionarët anglezë me premtime shumë të mëdha, në klubin e Ferizajt situata vazhdon të jetë e njëjtë, me shpresë se ditët në vazhdim do të sjellin lajme të mira, ndryshe disa lojtarë kanë paralajmëruar largimin nëse nuk përmbushet marrëveshja sipas kontratës që kanë me klubin./Zëri.info