Superliga në shifra e në fakte

Superliga në shifra e në fakte

Sport December 06, 2019 - 12:58
Detajet

256 gola të shënuara në 17 ndeshje të zhvilluara e bëjnë këtë gjysmëstinor të Superligës së Kosovës në futboll njërin nga më joshësit e pasluftës. Gjilani është skuadra më efikase, e cila plot 29 herë e ka gjetur rrjetin, ndërsa futbollisti i Ballkanit Blendi Baftiu është realizuesi më i mirë me 10 shënime, shkruan gazeta "Zëri"

Ejup Llumnica

Stinori i sivjetmë në elitën e futbollit kosovar ka sjellë një garë jashtëzakonisht interesante dhe krejtësisht të paparashikuar. Skuadrat, që në hapje të garave i treguan qartë objektivat e tyre, ku 6 prej tyre e synonin titullin dhe 6 të tjera mbijetesën, shkruan gazeta "Zëri".

Tash kur ka përfunduar pjesa e parë e kampionatit vetëm dy skuadra mund të thuhet se kanë dalë nga objektivat. Llapi që nuk ka shumë gjasa për titull dhe Dukagjini që duket se është dorëzuar në luftë për mbijetesë, të gjitha të tjerat janë brenda objektivave. Por çfarë solli në fakt ky kampionat, këtë më së miri e deshifrojnë statistika. Ballkani që është lidere e tabelës, edhe mban primatin e skuadrës me më së shumti pikë të grumbulluara derisa edhe mban epitetin e skuadrës me futbollin më të bukur për sy të luajtur gjatë këtyre 17 javëve të zhvilluara. Plot 256 gola të shënuara e bëjnë këtë edicion të Superligës së Kosovës në futboll njërin nga më joshësit e pasluftës.

Sulmi më i mirë dhe më i dobët

Askush nuk kishte besuar se një skuadër jo shumë e popullarizuar si Ballkani do të dimërojë në kryer të futbollit kosovar. Skuadra e Ismet Munishit la pas vetes ekipet si: Gjilani, Drita, Prishtina e Feronikeli, skuadra këto që në fillim ishin cilësuar si ekipe kryesore në luftë për titull. Sa i përket efikasitetit, Gjilani është skuadra me efikasitetin më të lartë, duke arritur ta gjejë portën plot 29 herë. Pas tyre vjen Feronikeli me 28 gola, ndërsa Ballkani, Drita dhe Llapi kanë nga 26 gola të shënuara. Kur jemi të efikasiteti duhet vlerësuar se Dukagjini, që edhe e mbyll tabelën në pozitën e fundit, ka efikasitetin më të dobët duke shënuar më së paku gola, gjithsej 6 gola në 17 ndeshje. Gjilani mund të cilësohet si skuadra me grupin më të mirë në sulm, pasi në krye të listës së shënuesve ka plot tre lojtarë. Përveç Prognit që ka 8 gola shumë efikas janë edhe Tomislav Busic dhe Fiton Hajdari me nga 6 gola.

Mbrojtja më e mirë dhe më dobët

Derisa Ballkani mban epitetin e skuadrës më të mirë në shoqërinë elitë, skuadra që mban efikasitetin më të keq sa u përket golave të pranuara është Vushtrria. Skuadra e rikthyer në elitë në 17 ndeshje ka pranuar plot 34 gola me mesatare 2 gola për ndeshje. Kjo e bën skuadrën vushtrriase me mbrojtjen më të dobët. Pas saj është Flamurtari me 32 gola, ndërsa në pozitën e tretë duket e pabesueshme, por është Llapi që ka pranuar plot 29 gola. Epiteti i mbrojtjes më të mirë pa asnjë dyshim i takon skuadrës së Prishtinës, e cila ka pranuar më së paku gola se ekipet tjera. Vetëm 9 gola në 17 ndeshje e bëjnë skuadrën e Armend Dallkut më të pathyeshme në këtë gjysmëstinor. Mbrojtje shumë të mira ka pasur edhe Drita, që e mbyll vjeshtën me vetëm 11 gola të pranuara. Fitoren më të thellë këtë edicion e ka shënuar Feronikeli, që e ka mposhtur Ferizajn me rezultat 5:0. Ndërsa ndeshja që ka prodhuar më së shumti gola ishte ajo ndërmjet Ballkanit e Vushtrrisë, ku u shënuan plot 7 gola, 5:2 ishte rezultati përfundimtar në favor të Ballkanit.

Blendi Baftiu - futbollisti më efikas

Shënuesi më i mirë i stinorit vjeshtor është sulmuesi i Ballkanit Blendi Baftiu, që ka shënuar plot 10 gola. Ish-futbollisti i Prishtinës, që në afatin e verës i ishte bashkuar skuadrës nga Theranda, la pas vetes Gerhard Prognin e Gjilanit që ka 8 gola. Baftiu, njëherësh është edhe kandidati më serioz për ta fituar sivjet “Këpucën e Artë”, por ka shumë gjasa që edhe t’i takojë epiteti i futbollistit më të mirë të Superligës, i cili do të shpallet në janarin e vitit 2020.

Fakt

Epiteti i mbrojtjes më të mirë pa asnjë dyshim i takon skuadrës së Prishtinës, e cila ka pranuar më së paku gola se ekipet tjera. Vetëm 9 gola në 17 ndeshje e bëjnë skuadrën e Armend Dallkut më të pathyeshme në këtë gjysmëstinor. Mbrojtje shumë të mira ka pasur edhe Drita, që e mbyll vjeshtën me 11 gola të pranuara.

Fakt

Fitoren më të thellë këtë edicion e ka shënuar Feronikeli, i cili e ka mposhtur Ferizajn me rezultat 5:0. Ndërsa ndeshja që ka prodhuar më së shumti gola ishte ajo ndërmjet Ballkanit dhe Vushtrrisë, në të cilën u shënuan plot 7 gola, 5:2 ishte rezultati përfundimtar në favor të Ballkanit.

Fakt

Shënuesi më i mirë i Superligës është Blendi Baftiu i Ballkanit, i cili ka shënuar plot 10 gola, duke lënë pas vetes Gerhard Prognin e Gjilanit. Baftiut ka shumë gjasa që edhe t’i takojë epiteti i futbollistit më të mirë të Superligës, i cili do të shpallet në janarin e vitit 2020. /Zëri.info