Si u kthye rikthimi i Luis Enriques në Spanjë nga një festë në një krizë?
Luis Enrique u rikthye në stolin e kombëtares spanjolle javën e kaluar. Roberto Moreno kishte thënë gjithmonë se do të ishte i lumtur të tërhiqej në rast të rikthimit të Enriques, por diçka ka ndryshuar dhe Spanja ka mbetur tërësisht e papërgatitur, shkruan sot, gazeta "Zëri".
Duhej të kishte qenë lajmi më i mirë, diçka për t’u festuar, por përkundrazi Federata Spanjolle e Futbollit e gjeti veten të konfrontuar me një krizë tjetër. Luis Enrique, trajneri i detyruar të largohet nga ekipi kombëtar për shkak se vajza e tij 9-vjeçare kishte kancer, do të kthehet katër muaj pas largimit dhe tre muaj pas vdekjes së të bijës.
Roberto Moreno, ndihmësi i tij dhe miku që e mori drejtimin e Spanjës dhe e udhëhoqi si të pamposhtur drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian, duke e kompletuar kampanjën kualifikuese me një fitore 5:0 ndaj Rumanisë, tërhiqet – diçka për të cilën tha se do të ishte i lumtur ta bënte para 10 javësh. Spanja e ka përsëri trajnerin e saj dhe shtatë muaj për t’u përgatitur për verën. Por, ajo që mund të duket si një skenar i përkryer ka lënë një ndjenjë të pendesës dhe të kundërpadive, ish-kapiteni i Spanjës, Iker Casillas e quajti qesharake dhe presidenti i Federatës, Luis Rubiales, u përball me mediet për një orë e gjysmë mëngjesin e së martës së javës së kaluar. Konferenca për shtyp ishte thirrur për ta konfirmuar rikthimin e Luis Enriques dhe që Moreno do të largohej e nuk do të kthehej në rolin e tij të mëhershëm. Por, pse, çfarë ka ndodhur mes këtyre të dyve, mbetet një dilemë e madhe.
Luis Enrique do të jetë trajneri i pestë i Spanjës në 17 muaj: Julen Lopetegui, i cili u shkarkua në prag të Kupës së Botës të vitit 2018, u pasua nga Fernando Hierro, Luis Enrique, Moreno dhe Luis Enrique përsëri. Ai ende nuk e ka nënshkruar kontratën, por pritet ta marrë drejtimin para fundit të vitit.
Luis Enrique papritur e la kampin spanjoll në mars para ndeshjes me Spanjën, me lajmin se vajza e tij, Xana ishte sëmurur keq. Ai vazhdoi të menaxhonte nga distanca me Morenon që e mori vendin e tij në stol, por në korrik Enrique u tërhoq. Morenos iu dha detyra dhe kontrata deri në fund të “Euro 2020”-s, edhe pse Rubiales tha se ishte gjithmonë në mirëkuptim që Enrique mund të kthehet. Në shtator Moreno tha se ai do të ishte i lumtur për t’u tërhequr, duke insistuar se Enrique është një mik dhe miqtë janë mbi gjithçka, por gjatë dy muajve të fundit ai e ka shprehur dëshirën për të vazhduar si trajner. U rrit ndjesia se ai nuk e shihte më veten si një zëvendësues dhe diçka duket se ka ndryshuar mes Morenos dhe Luis Enriques. Kur raportohet se Rubiales nuk ishte i bindur nga Moreno dhe po kërkonte alternativa, Moreno kërkoi qartësi. Sipas Rubialesit, kur Morenosit i është thënë se ishte duke u vlerësuar mundësia për ta rikthyer Enriquen, Moreno dërgoi një mesazh duke thënë se ai donte të largohet të mos bëhet pengesë. “Ne kemi qenë të sinqertë që prej fillimit: ne gjithmonë kemi thënë, 1,001 herë, dera do të ishte gjithmonë e hapur për Luis Enriquen kurdo që ai dëshiron të rikthehet”, u shpreh Rubiales. “Ne i thamë Morenos qysh prej momentit të parë se kur Luis Enrique do të donte të rikthehej, ai do të rikthehej. Ne gjithmonë kemi qenë transparentë. Atë ditë unë premtova se kur Luis Enrique u ndje i fortë mjaftueshëm për t’u rikthyer, ai e kishte derën e hapur. Ne e kemi atë detyrim moral ndaj tij. Ne jemi sjellë me sinqeritet të plotë. Që prej vdekjes së vajzës së Luis Enriquesit ne kemi folur vetëm tri herë: më 29 gusht, kur unë i dhashë ngushëllimet e mia, në një takim në tetor dhe mëngjesin e së hënës. Ishte Robert Moreno që na tha se kishte folur me Luis Enriquen dhe se Luis Enrique tha se donte të rikthehej. Ne e zbuluam këtë gjë nga ai. Kështu ne e patëm një takim në Zaragoza në tetor dhe Luis Enrique na tha se donte t’i rikthehej punës. Jose Francisco Molina (drejtori sportiv i Spanjës) mendohet, kthehet nga unë dhe më thotë: ‘Ne do të flasim me të gjithë kur faza kualifikuese të përfundojë’. Por, pastaj të shtunën Moreno i thotë Molinas: ‘Unë dua të di se çfarë dëshiron të bësh’. Molina i thotë: ‘Shiko, nëse Luis Enrique dëshiron të rikthehet e ta marrë punën e tij dhe ta drejtojë këtë projekt që e ka filluar, ne do ta vlerësojmë këtë mundësi. Askush nuk kishte folur me Luis Enriquen: asnjë negociatë, asgjë”, vazhdon Rubiales. “Dhe më pas mëngjesin e së hënës ne morën një mesazh nga Moreno: ai thotë, unë citoj: ‘Unë dua të pajtohem me largimin tim, që të mos bëhem pengesë në rikthimin e Luis Enriques’. Ai na thotë këtë në ditën e ndeshjes (kundër Rumanisë). Në mëngjes. Dhe menjëherë, një krizë, një emergjencë. Molina më thërret dhe më thotë: ‘Luis, ne kemi një problem’. Është thjesht fakti që ne i thamë se ne do ta vlerësonim rikthimin e Luis Enriques që bëri që Robert të mos dëshirojë vazhdimin. Personi i parë që e di se çfarë do Luis Enrique, edhe para nesh, është Roberti”, u shpreh ai.
Rubiales gjithashtu tha se ngjarjet u përshpejtuan nga vendimi i Morenos për të ikur. Ata nuk e kishin këtë gjë që të ndodhte. Por derisa Rubiales fliste, avokatët e Morenos po takoheshin me përfaqësuesit e Federatës. Ky takim ishte thirrur mes Morenos dhe Molinas, por Moreno nuk u paraqit, ka konfirmuar Rubiales. Presidenti refuzoi që ta përshkruante largimin e Morenos si dorëheqje ose si shkarkim, duke folur vetëm për një vendim. “Sot duhej të kishte qenë një festë”, tha ai, por në vend të kësaj ishte shqetësuese dhe reagimi nga tifozët dhe mediet ka qenë i egër. Rubiales kishte thënë se njëra prej arsyeve që e kishte zgjedhur Morenon ishte për ta bërë rikthimin e Luis Enriques më të lehtë, por kjo ishte larg nga të qenit e lehtë. Ai vazhdimisht refuzonte të fliste për marrëdhëniet mes miqve e ish-kolegëve dhe e bëri të qartë se do të jetë Luis Enrique që do ta zgjedhë stafin e tij. Që Moreno nuk është i përfshirë është e qartë. Pseja është një çështje tjetër. Diçka ka ndryshuar.
Nata e fundit e kohës së Morenos ishte traumatike. Ai u largua nga “Metropilotano” në Madrid i pamposhtur si trajner i Spanjës, por nuk ishte në gjendje të fliste për medie. Ai kishte shkuar me lot në sy në dhomat e zhveshjes. Lojtarët gjithashtu i shmangën gazetarë, duke u larguar nga një derë anësore./Zëri