Hadërgjonaj: Dhamë maksimumin nga vetja, por nuk arritëm atë që deshëm

Hadërgjonaj: Dhamë maksimumin nga vetja, por nuk arritëm atë që deshëm

Sport November 15, 2019 - 19:20
Detajet

Florent Hadërgjonaj është shprehur i zhgënjyer me humbjen e Kosovës nga Republika e Çekisë mbrëmë në Plzen.

Në 'Doosan Arena', djelmoshat e Bernard Challandes u mposhtën me rezultat 2:1 në kuadër të eliminatoreve për 'Euro 2020', shkruan Zëri.info.

Me këtë humbje, Kosovës iu shua ëndrra për kualifikim në 'Euro 2020' përmes ciklit eliminator, derisa shpresat i ka te Liga e Kombeve.

Gjatë ditës së sotme, përmes një postimi në rrjetin social 'Facebook', Hadërgjonaj shpreson te Liga e Kombeve, derisa ka falënderuar tifozët.

"Dhamë maksimumin nga vetja jonë, por nuk arritëm atë që deshëm. Gjithsesi e kemi një tjetër mundësi dhe do ta bëjmë të pamundurën për të shkuar në Euro 2020. Faleminderit tifozëve për mbështetjen e jashtëzakonshme që na dhanë", ka shkruar Hadërgjonaj.

Ndryshe, më 26 mars, Kosova e zhvillon gjysmëfinalen kundër Maqedonisë së Veriut në Shkup.

Në rast të fitores, 'Dardanët' në finale luajnë me fituesin e ndeshjes Bjellorusi - Gjeorgji më 31 mars. Fituesi i kësaj ndeshje vazhdon në 'Euro 2020'./Zëri.info