Argjent Mustafa tregon arsyen pse e la Shqipërinë për Drenicën
Njëri nga përforcimet më të mëdha të Drenicës, pa asnjë dyshim është futbollisti vushtrrias, Argjent Mustafa. Mesfushori kosovar që ishte pjesë e skuadrës së Flamurtarit të Vlorës këtë edicion do t’i bartë ngjyrat kuqezi te Drenicës, shkruan Zëri.info.
Ai në një bisedë për Zëri.info ka treguar në detaje pse mori vendim të largohet nga kampionati i Shqipërisë për t’ju bashkuar atij të Kosovës si dhe për synimet me skuadrën e Drenicës.
“Pas përfundimit të kampionatit në Shqipëri, kam pasur disa oferta nga klube të ndryshe nga Kosova dhe Shqipëria. I kam analizuar të gjitha me kujdes dhe në fund kam vendosur për skuadrën e Drenicës, e cila ka një projekt serioz dhe bindës për stinorin e ri”, ka thënë Mustafa për Zëri.info, i cili beson shumë se niveli i futbollit të Kosovës tash është rritur shumë e këtë e tregojnë edhe investime e mëdha.
Sa i përket synimeve me Drenicën, Mustafa ka thanë se pret një garë shumë të fortë.
“Nga ndeshjet parasezonale, është parë kualitet dhe një vullnet i jashtëzakonshëm brenda skuadrës. Jam i bindur që KF Drenica ka ekip të garojë me skuadrat, të cilat viteve të fundit kanë qenë pretendente kryesore për titull”, ka përfunduar Mustafa./Zëri.info