Shoqata dhe liga e futbollit, shpëtim për klubet kosovare
“Kjo ka qenë ide imja e kamotshme. Mendoj se duhet të implementohet sa më parë, në mënyrë që edhe Federata të lirohet sadopak nga detyrat e shumta. Një gjë e tillë implementohet në të gjitha vendet e zhvilluara, sikurse në Gjermani, në Francë e në vendet e tjera”, ka thënë presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi
Tash e një kohë të gjatë nëpër klubet kosovare të futbollit është duke u diskutuar mundësia e formimit të shoqatës së klubeve, e cila më pas do ta organizonte edhe ligën e futbollit dhe sipas analistëve dhe njohësve të futbollit kjo do të ishte një shpëtim për klubet. Arsyeja e organizimit të ligës nga vetë klubet është se do të kishte ndikim në organizimin më të mirë të garave kampionale, përgjegjësia do të binte mbi klubet dhe ato më mirë se askush tjetër e dinë se çfarë u duhet që gara të jetë e organizuar në nivelin më të mirë.
Gjithsesi kjo tash për tash është në fazën fillestare, megjithatë një propozim i tillë ka arritur edhe në “veshin” e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila nuk është aspak kundër dhe do ta mirëpriste një gjë të tillë. Këtë gjë e ka thënë edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, në një bisedë për gazetën “Zëri”, por sipas tij organizimi i ligës nga klubet do të kërkonte një punë bukur të madhe dhe për momentin klubet nuk janë aq të gatshme. Në anën tjetër për presidentin e FC Prishtinës, Remzi Ejupi, krijimi i shoqatës së klubeve dhe organizimi i ligës nga klubet do ta lehtësonte maksimalisht punën edhe të vetë Federatës së Futbollit.
FFK-ja, e gatshme ta mbështetë një iniciativë të tillë
“Është diskutuar edhe më herët dhe Federata ka dëgjuar klubet, por një pjesë e madhe e tyre nuk kanë pranuar të ndodhë kjo gjë. Ato nuk janë të gatshme për momentin, pasi kërkohet bajagi një organizim i madh. Duhet ta dinë që ato duhet t’i marrin përgjegjësitë për financim, sponsorizim të ligës e gjitha të tjerat, kështu që ato tash për tash nuk janë shumë të gatshme”, ka thënë Salihu, sipas së cilit FFK-ja do të jetë pranë klubeve dhe do t’i mbështetë me çfarëdo vendimi që vijnë. “Gjithsesi, Federata është e hapur për të gjitha dhe do ta kishte mirëpritur sikur kjo të bëhej në mënyrën më të mirë të mundshme, por jo të krijohet diçka e të dështojnë menjëherë. Të mos harrojmë se një iniciativë e tillë është tentuar edhe në Shqipëri, edhe në Serbi, por nuk kanë mundur t’ia dalin. Unë po them Federata është e hapur për një nismë të tillë, do ta mbështesnim, pasi do të na lehtësonte punën edhe neve, ku do të merreshim vetëm me komisionet tona, por po e përsëris nuk është e thjeshtë dhe klubet tash për tash nuk kanë shumë gatishmëri për një hap të tillë”, ka përfunduar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Ejupi: Organizimi i ligës nga klubet, lehtësim edhe për FFK-në
Sipas presidentit të skuadrës më të madhe në vend FC Prishtinës, Remzi Ejupi, organizimi i Ligës nga klubet do të ishte një punë shumë e mirë, gjë të cilën tash e një kohë e përdorin dhe shtetet shumë të zhvilluara, si Gjermania, Franca etj. “Kjo ka qenë ide imja e kamotshme. Mendoj se duhet të implementohet sa më parë, në mënyrë që edhe Federata të lirohet sadopak nga detyrat e shumta”, ka thënë Ejupi për gazetën “Zëri”.
“Një gjë e tillë implementohet në të gjitha vendet e zhvilluara, sikurse në Gjermani, Francë e në vendet e tjera. Së fundmi është bërë edhe në Shqipëri. Besoj që sa më parë do të realizohet një gjë të tillë. Sigurisht se FFK-ja duhet që të jetë mbikëqyrëse e shoqatës së klubeve dhe besoj se çdo gjë do të shkojë në rregull”, ka thënë numri një i Prishtinës, Remzi Ejupi.
Analistët e përkrahin
Edhe për njohësit e futbollit krijimi i shoqatës së klubeve, e cila pastaj do të mundë të merrej me organizimin e ligës, është ide shumë e mirë, por për momentin disa klube nuk janë në atë nivel sa të marrin përgjegjësi të tilla. “Është mirë që klubet të kenë shoqatën e tyre, që lufton për të drejtat e tyre. Realisht edhe klubet në Kosovë duhej ta ndiqnin këtë politikë sikurse klubet e mëdha evropiane, por praktikisht është pak e vështirë e aplikueshme, pasi që brendapërbrenda klubeve mungon organizimi i mirëfilltë, duke u nisur nga dikasteret e medieve, të marketingut dhe të financave. Nuk munden klubet të vendosin për të drejta televizive derisa nuk ofrojnë as kushte bazike për transmetuesit e mediet në përgjithësi”, ka thënë Genc Sermaxhaj. “Organizimi i turneve ose i garave, që do t’u sillnin përfitime financiare klubeve, do të ishte i mirëseardhur, por kostoja e tyre do të ishte shumë e madhe dhe kjo mund të bëhej vetëm nga ndonjë promotor ose kompani shumë e fuqishme. Si përfundim mendoj që duhet ende kohë të kalojmë në atë qëndrim të vendimeve ose të veprimeve të klubeve, të cilat realisht duhet të organizohen brendapërbrenda tyre e më pas të mendojnë për hapa më të mëdhenj”, përfundoi Sermaxhaj.
Cili do të ishte roli i një lige të tillë?
Edhe pse detajet e një krijimit të një lige të tillë tash për tash nuk janë diskutuar, gjithsesi roli i saj parashihet të jetë në shitjen e së drejtës televizive, në ndikimin në sektorin e gjykimit, në ndikim në organizimin dhe në menaxhimin e aktiviteteve të Ligës elitare. Pra klubet në këtë situatë do t’i mbronin interesat e tyre dhe ato do t’i diskutonin në tavolinën e tyre dhe jo të FFK-së. Shqipëri tashmë e ka një ligë të tillë dhe klubet atje, duke mos dashur që dikush të paragjykojë, kanë vendosur që presidenti i kësaj lige të vijë nga Federata.