
Kosova Asllani, 'Zlatan Ibrahimovici femër'
Kosovare Asllani, e ka bërë hapin më të madh në karrierë duke u transferuar në skuadrën e Real Madridit, raporton Zëri.info.
Futbollistja me prejardhje nga Mitrovica është larguar përfundimisht nga Linkopingu i Suedisë për t’u transferuar në ekipin spanjoll CD Tacon, i cili nga edicioni 2020/21 do të quhet Real Madrid.
Lajmi është konfirmuar nga vet klubi madrilen përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Kosovare Asllani është futbolliste e re e CD Tacón. Mirëseerdhe”, ka shkruar klubi spanjoll në rrjetet sociale.
Asllanit i kanë kushtuar mjaft vëmendje mediat botërore, por edhe gjiganti mediatik në Spanjë “AS”, e cila ndër të tjerash e konsideron Kosovaren si “Zlatan Ibrahimovici femër”.
Ndryshe, CD Tacon do të stërvitet në kompleksin “Valdebebas” këtë edicion e më pas klubi do ta ketë qendrën e vet sportive.
Për themelimin e kësaj skuadre, Real Madridi ka paguar rreth 400 mijë euro në fillim, ndërkaq priten edhe dy milionë euro shpenzime për ta arritur nivelin e Barcelonës, Atletico Madridit, Levantes, Granadillas dhe Athletic.
Asllani ka qenë futbolliste e lirë derisa më parë ka luajtur edhe për Paris Saint-Germain dhe Manchester Cityn, ku me anglezët fitoi Kupën FA dhe Superligën e Femrave.

Në Suedi, ajo njihet si “Zlatani femër” për shkak të aftësive teknike të saj në fushë.
Ajo është pjesë e Kombëtares së Suedisë teksa konsiderohet një ndër futbollistet më cilësore./Zëri.info