Kundër Malit të Zi pa treshen kryesore të mesfushës, trajneri i Kosovës ka diçka për të thënë
Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Valon Berisha janë futbollistët që zyrtarisht do t’i mungojnë Përfaqësueses së Kosovës për dy ndeshjet e muajit qershor përballë Malit të Zi dhe Bullgarisë në eliminatoret e kampionatit evropian “Euro 2020”.
Në një prononcim për gazetën “Zëri” ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, vlerëson se këto mungesa janë të vështira pasi të tre futbollistët janë bazë e skuadrës “Dardane”, shkruan Zëri.info.
Pas ndeshjes së parë eliminatore për kampionatin evropian “Euro 2020”, të cilën Përfaqësuesja e Kosovës e zhvilloi në mars në stadiumin “Fadil Vokrri’ ndaj Bullgarisë (0:0), dy sfida të tjera i presin “Dardanët” në muajin qershor.
Fillimisht, më 7 qershor Përfaqësuesja e Kosovës do të udhëtojë drejt Podgoricës për të zhvilluar ndeshjen me Malin e Zi, ndërsa tri ditë më vonë Kosova do ta ketë një sfidë edhe më të vështirë, atë ndaj Bullgarisë në Sofje.
Pas barazimit 1:1 me Bullgarinë, ku Përfaqësuesja e Kosovës ishte e kompletuar, përzgjedhësi i Kosovës Bernard Challandes për në Podgoricë udhëton me disa mungesa të mëdha, për shkak se tre mesfushorët me përvojë Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Valon Berisha janë të lënduar dhe tashmë është konfirmuar se ata nuk do të jenë pjesë e Kosovës për këtë sfidë shumë të rëndësishme.

Por sa do të ndikojnë këto mungesa në lojën e “Dardanëve” dhe a mund të ketë zëvendësime adekuate për këto mungesa të theksuara, gazeta “Zëri” ka biseduar me ndihmëstrajnerin e Kosovës Muharrem Sahiti.
Mungesa e tre mesfushorëve të sipërpërmendur shihet të jetë një handikap i madh për “Dardanët”.
Këtë e pranon edhe ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti.
Në një prononcim për gazetën “Zëri”, Sahiti tha se do të jetë e vështirë, por që skuadra do të tentojë ta bëjë më të mirën.
“Zyrtarisht do të mungojnë futbollistët Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Valon Berisha, kurse Bersant Celina do të jetë i gatshëm për këto dy ndeshje. Do të jetë e vështirë, nuk do të jetë aspak e lehtë. Janë futbollistët bazë, por do të mundohemi të bëjmë diçka të mirë”, u shpreh Muharrem Sahiti të mërkurën për gazetën./Zëri.info