Eroll Salihu zbulon të rejat e fundit në FFK

Eroll Salihu zbulon të rejat e fundit në FFK

Sport May 16, 2019 - 08:15
Detajet

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës të martën mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi e në të cilën diskutoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. KE-ja analizoi rrjedhën e garave të Kampionatit të Kosovës, përkatësisht javët e fundit dhe konstatoi se garat kanë rrjedhë normale sipas orarit dhe dinamikës së paraparë, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Është konstatim i Komitetit Ekzekutiv se kurrë më parë nuk ka pasur një kampionat ku lufta për kampion dhe për rënie të ketë qenë kaq shumë e paqartë dhe kjo ka bërë që të kemi ndeshje të forta, cilësore e pa kalkulime.

Në mes të tjerash Komiteti Ekzekutiv ka marrë vendim që pas përfundimit të garave të këtij edicioni të pushojë mandatin dhe punën e të gjitha komisioneve dhe shoqatave dhe do të bëjë riformatizimin e tyre para edicionit të ri të garave me qëllim të profesionalizimit të këtyre komisioneve dhe shoqatave në përputhje me kërkesat e kohës dhe në të mirë të futbollit të Kosovës.

Komisioneve dhe shoqatave u ka skaduar mandati

Në lidhje me përfundimin e mandatit të komisioneve dhe të shoqatave ka folur sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” Salihu ka thënë se një gjë e tillë është pasi komisionet dhe shoqatat në fjalë punojnë me mandate. “Puna është se u kalon mandati. Të gjitha komisioneve dhe shoqatave u kalon mandati i rregullt. Disa i kanë dy e disa katërvjeçar. Pra nuk ka shkarkim, por vetëm kalim mandati. Komiteti Ekzekutiv në krye me kryetarin Agim Ademi kanë vendosur ta bëjnë strategjinë e re katër ose pesëvjeçare. Kemi hulumtuar me klubet tona dhe me delegatët. Dhe të gjithë janë për një riformatizim. Jo që këta nuk e kanë kryer detyrën, por thjesht të mos krijohet monopol në vendimmarrje. Kjo nuk do të thotë se personat që kanë qenë deri më tani nuk munden të zgjidhen prapë. Mund të ketë edhe të atillë, por kërkohen njerëz sa më efikas dhe më profesionistë”, u shpreh Eroll Salihu të mërkurën.

Salihu: Jemi në vëzhgim të UEFA-s

Futbolli i Kosovës tash e tre vjet është i pranuar në instancat ndërkombëtare dhe sigurisht se kampionati është i monitoruar nga UEFA.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë me dije se ndeshjet e fundit në futbollin e Kosovës janë duke u vëzhguar nga agjentë të shtëpisë më të madhe të futbollit evropian (UEFA).Një gjë e tillë po bëhet për shkak të dyshimeve të mundshme për manipulime eventuale. Përplasja direkte e skuadrave për titull dhe për mbijetesë ka bërë që UEFA të mos qëndrojë duarkryq.

Ndërkaq, këtë e ka konfirmuar edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. “Ne jemi në vëzhgim sikur në të gjitha garat. Tash është një gjë e mirë se janë mbyllur bastet, megjithëse ka të tilla ‘online’. Të jeni të bindur se ne kemi zyrtarë për integritet. Kryetari Ademi para disa ditësh është takuar me të dhe me prokurorin”, theksoi Eroll Salihu.

Çështja e Anel Rashkajt

Pas lëndimit të mesfushorit Hekuran Kryeziu, në medie është përfolur se trajneri Bernard Challandes mund ta ftojë ish-kapitenin e Kosovës në kohën e Albert Bunjakut, Anel Rashkajn. Karakteri dhe loja e Rashkajt i pëlqejnë mjaft shumë sekretarit Salihu, i cili thotë se shpreson ta shohë sërish në Përfaqësuese futbollistin e Eskilstuna (Suedi). “Ne nuk i përzihemi stafit teknik. Aneli është një lojtar jashtëzakonisht i mirë. Të them të drejtën, unë personalisht jam tifoz i tij. Personalisht, kisha dashur ta shoh Anelin në Përfaqësuese, por kjo çështje i takon trajneri Bernard Challandes”, përfundoi Eroll Salihu./Zëri.info