Mposhti boksierin maltez për ta fituar titullin e WBC-së, kështu e vlerëson përballjen Ramadan Hiseni
Boksieri i talentuar shqiptar Ramadan Hiseni, i cili nuk njeh humbje, e ka fituar titullin e kampionit të botës në kategorinë WBC për të rinj.
Në një përballje dramatike kundër Christian Schembrit, të zhvilluar në mbrëmjen e së dielës, Hiseni është shpallur kampion pas dhjetë rundeve me vendim të gjyqtarëve në meçin e zhvilluar në Zvicër.
Për këtë përballje boksieri me prejardhje nga Gjilani u stërvit me Jeff Mayweather në “Mayweather Gym” në Las Vegas.
Deri më tani në karrierën e tij në boksin profesionist, konkretisht në divizionin e peshave të mesme, 22-vjeçari, i cili përfaqëson Zvicrën në arenën ndërkombëtare, synon edhe suksese më të mëdha, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Në një prononcim për gazetën “Zëri” Ramadan Hiseni ka rrëfyer pikëpamjet e tij për përballjen me Christian Schembrin.
Me boksierin maltez Hiseni u përball në Glattbrug të Zvicrës.
Kjo përballje ia solli fitoren e 12-të në boksin profesionist, shifër që e bën atë mjaft të kënaqur, ani pse Schembrin e vlerëson si një kundërshtar të vështirë. “Ishte një përballje e ashpër. Christian Schembri ishte një kundërshtar i vështirë dhe ka përvojë në boks. Ai është i ashpër në goditje”, tha fillimisht boksieri 22-vjeçar për gazetën “Zëri”.
Ndonëse i ri në moshë, Ramadan Hiseni nuk di ende për humbje në boksin profesionist.
Në kategorinë që bën pjesë ai renditet në vendin e 142-të nga 1520 boksierë në ranglistën e përgjithshme të botës. Por Hiseni e ka pranuar se çdo ditë mëson gjëra të reja. “Unë jam i ri dhe mësoj çdo ditë, për çdo luftë dhe çdo kundërshtar gjithmonë janë sfida të reja. Së bashku me ekipin tim unë do ta analizoj luftën dhe do të përcaktoj, si dhe do të zhvilloj strategjitë e mia të përballjeve”, vlerësoi Ramadan Hiseni.
Sfida me Christian Schembrin ishte e para këtë vit, por jo edhe e fundit.
Për gazetën “Zëri” Hiseni thotë se me gjasë do të ketë edhe një përballje për titull këtë vit. “Menaxheri im do ta njoftoj emrin e kundërshtarit të ardhshëm në kohën e duhur. Megjithatë, është e qartë se ne do të bëjmë një tjetër përballje për titull këtë vit”, pohoi boksieri me perspektivë./Zëri.info