Shifra marramendëse: FFK zbulon numrin e biletave të kërkuara për dy ndeshjet e fundit të Kosovës
FOTO: Laura Hasani

Shifra marramendëse: FFK zbulon numrin e biletave të kërkuara për dy ndeshjet e fundit të Kosovës

Sport March 26, 2019 - 11:15
Detajet

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka nisur vitin 2019 me këmbë të mbarë, ku më 21 mars ka zhvilluar miqësoren kundër Danimarkës, ndërsa katër ditë më vonë ndeshjen e parë eliminatore për Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Të dyja ndeshjet e lartëcekura u zhvilluan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Image

Në miqësoren ndaj Danimarkës, Kosova arriti barazim historik 2:2, duke u bazuar në faktin se danezët renditen në vendin e dhjetë në ranglistën e FIFA-s, kurse Kosova 120 vende më poshtë, shkruan Zëri.

Katër ditë më vonë, djelmoshat e talentuar të Bernard Challandes e nisën ciklin eliminator të Kampionatit Evropian “Euro 2020” në një ndeshje të vështirë kundër Bullgarisë, poashtu në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Edhe në këtë ndeshje, Kosova dominoi nga minuta e parë deri në fund, por që për shkak të mos konkretizimit të rasteve, rezultati përfundimtar ishte 1:1.

Me këtë barazim, Kosova ndodhet në vendin e tretë në grupin A të eliminatoreve për Kampionatin Evropian “Euro 2020”, teksa në muajin qershor do të jetë mysafire e Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Image

Edhe në këto dy ndeshje, biletat u shitën në sistemin online permes aplikacionit “tiks.app”, system i cili kësaj radhe funksionoi në mënyrën më të mirë të mundshme.

Interesimi i tifozëve për këto dy ndeshje ishte i jashtëzakonshëm, ku për ndeshjen me Bullgarinë biletat u shitën për tri orë.

Në një prononcim për gazetën “Zëri”, zyrtarja për informim në Federatën e Futbollit të Kosovës, Diturie Hoxha ka pohuar se shitja e biletave ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pa asnjë problem në proces.

“Shitja e biletave ka shkuar shumë mirë, nuk ka pasur probleme”, u shpreh fillimisht Diturie Hoxha.

Tutje, Hoxha ka zbuluar edhe periudhën kohore gjatë së cilës janë shitur biletat për ndeshjet ndaj Danimarkës dhe Bullgarisë.

“Biletat për ndeshjen kundër Bullgarisë janë shitur për dy-tri orë të gjitha, ndërsa për ndeshjen ndaj Danimarkës, shitja ka shkuar pak më ngadalë dhe pa probleme”, vlerësoi Diturie Hoxha.

Për fund, Hoxha ka zbuluar edhe numrin e përdoruesve të regjistruar në aplikacionin në fjalë, të cilët kërkonin bileta për këto dy ndeshje, e që numri i lejuar për të blerë bileta për një person ka qenë tre.

Image

“Për ndeshjen ndaj Bullgarisë ka pasur mbi 100 mijë kërkesa për bileta, kurse për ndeshjen ndaj Danimarkës ka pasur rreth 84 mijë”, përfundoi Diturie Hoxha.

Kjo nënkupton se nga 184 mijë kërkesa, numri i biletave të kërkuara ka qenë rreth 550 mijë.

Ndryshe, me dy barazimet ndaj Danimarkës e Bullgarisë, Kosova ka fituar pike në FIFA, teksa në ranglistën e muajit prill pritet një ngritje e lehtë./Zëri/