Alban Dragusha shprehet optimist për Kosovën: Futbollistët tanë na kanë bërë të besojmë
Kosova e zhvillon nesër (e hënë) ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian Euro 2020 ndaj Bullgarisë.
Sfida do të luhet nga ora 20:45 në stadiumin 'Fadil Vokrri' në Prishtinë.
Kosova të enjten e kaluar e zhvilloi një ndeshje tejet të mirë me Danimarkën duke barazuar 2:2 në Prishtinë.
Trajneri Alban Dragusha, duke folur për “Zërin”, e vlerësoi lart formën e futbollistëve të Kosovës.
Për trajnerin Alban Dragusha rëndësi ka që futbollistët tanë po shënojnë gola.
“E mira e lojtarëve të Kosovës është se po shënojnë rregullisht në çdo ndeshje, e këtë e bënë edhe kundër një kundërshtari siç ishte Danimarka”, tha për “Zërin” Dragusha, duke shtuar se nuk duhet fajësuar vetëm mbrojtësit për golat e pësuar.
“Futbollistët tanë na kanë bërë të besojmë shumë që do të fitojmë në ndeshjen e së hënës kundër Bullgarisë”, u shpreh për “Zërin” Alban Dragusha.
Ai momentalisht e drejton KEK-un.
Dragusha si futbollist e ka veshur fanellën e Kosovës në kohën kur FFK nuk ka qenë e pranuar në UEFA dhe FIFA. /Zëri.info