Ndërrimi i emrave të stadiumeve, dëshmi për lakminë e madhe që ka kapluar futbollin

Ndërrimi i emrave të stadiumeve, dëshmi për lakminë e madhe që ka kapluar futbollin

Sport March 22, 2019 - 13:03
Detajet

Tottenhami gjatë muajit të ardhshëm do të fillojë t’i luajë ndeshjet në stadiumin e ri. Por së fundmi është raportuar se emri i stadiumit “White hart Lane” mund të ndryshohet në “Nike Stadium”. Klubi londinez nuk është i vetmi i cili ia ndryshon emrin stadiumit. Lakmia e madhe për para ka bërë që shumë klube t’i ndryshojnë emrat e stadiumeve dhe jo vetëm, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Çfarë rëndësie ka një emër? Gjithçka nëse jeni një tifoz i futbollit. Sporti gjithmonë ka ndryshuar nga financat, por fetishi për ndryshimin e emrave pas vitit 1992 e ka çuar komercializmin në një nivel të ri dhe është duke u shpërndarë në hapësira publike.

Historia, tradita dhe komuniteti janë disa prej gjërave më primare se pse tifozët qëndrojnë besnikë ndaj skuadrave të tyre. Është në modë të karakterizohen ata që luftojnë ndaj ndryshimit të imazhit të klubit si tradicional. Por në një kohë kur lagjet lokale janë thyer të lidhesh pas emrit origjinal të ekipit, stadiumit dhe madje edhe stacionit të hekurudhave është kthyer në një shenjë të mbajtjes së shpirtit të komunitetit.

Kjo është edhe arsyeja pse tifozët e Tottenhamit, londinezët veriorë, janë duke tentuar që të rezistojnë për emrin “White Hart Lane” të mos dërgohet në plehrat e historisë. Është raportuar se stadiumi i ri prej 62.000 ulësesh, që do të hapet muajin e ardhshëm në ndeshjen ndaj Crystal Palacet dhe do të mirëpresë pesë ndeshjet e fundit si vendas të këtij edicioni, do të marrë një emër të ri dhe do të quhet “Nike Stadium”.

Pronari i klubit, Daniel Levy, insiston se nuk është arritur një marrëveshje e tillë, por një tjetër vendim kontrovers që u bë të dielën duket se e ka sjellë më afër atë moment. Levy dhe drejtorët e tij e kanë pasur një takim me kryetarin e bashkisë së Londrës Sadiq Khan dhe metronë e Londrës për ta riemëruar stacionin “White Hart Lane” në “Tottenham Hotspur”. Gjë e cila do të thotë se tradicionalët e Londrës Veriore, ose siç duhet t’u thuhet tifozë besnikë, do të kenë një dëm të dyfishtë. Emri “White Hart Lane” do të hiqet komplet nga zona, do të fshihet nga historia nga këto korporata staliniste, që kanë vendosur ta komercializojnë hapësirën publike, kulturën e klasës punëtore dhe ta ndryshojnë modelin e lagjeve.

Stadiumet e futbollit janë emëruar zakonisht në bazë të zonave ku janë ndërtuar. Me ardhjen e Premierligës në vitin 1992, sidoqoftë, klubet elitare i transformuan ata në marka, duke u bërë bankomata të oligarkëve, sheikëve dhe kapitalistëve.

Rivali më i madh i Tottenhamit, Arsenali, e bëri këtë me “Emirates”, ashtu si edhe Brightoni me “Amex” dhe Manchester City me “Etihad”. Ngjashmëritë nuk ndalen këtu, stacionin e metrosë “Gillespie Road” e kishin riemëruar në “Arsenal” në vitin 1932.

Ndryshimi i emrit në stacionin nëntokësor në zonën e klubit në “Tottenham Hotspur” është një zhgënjim i madh për banorët e zonës. “White Hart Lane është emri historik i stacionit. Një peticion i bërë nga banorët lokalë thotë: “Reflekton rrugën dhe lagjen, trashëgimi e klubit është që ta mbajë atë emër të njëjtë sesa ta kthejë një zonë të tërë në asgjë, veçse një instrument të një klubi të futbollit”.

Tottenhami premton që paratë t’i investojë në komunitetin lokal. Por “topçinjtë” kishin premtuar se do të paguanin 7 milionë funte për përmirësime në transport, duke përfshirë stacionet “Holloway Road” dhe “Drayton Park”, gjë e cila nuk ka ndodhur. Banorët lokalë në “Finsbury Park” dhe “Highbury” ndihen të tjetërsuar, derisa lideri i Partisë së Gjelbër, Sian Berry, ka thënë se riemërimi i stacionit “White Hart Line” hap një rrugë të rrezikshme për stacionet tjera të njohura dhe që do të mbyten nga markat e korporatave.

Cili do të jetë hapi i radhës? “Knightsbridge”, “Home of Harrods”? “Virgin Euston”? “Burberry by Bond Street”?

Autori i librit “The Goalposts” (Shtyllat e portës), Anthony Clavane, kishte intervistuar tifozët e Hull Cityt, të cilët me sukses e kishin ndalur klubin e tyre që ta ndryshojë markën e “Hull Tigers”. “Babai im investoi aq shumë kohë dhe aq shumë para për Cityn. Ai shkoi atje me dekada. Këto klube janë produkte të qytetit, të zonave të tyre lokale. Pronarët duhet të jenë rojtarë të historisë dhe të prejardhjes së klubeve të tyre. Kudo që shkoj për futboll ndiej se emri i vjetër është me mua. Është shumë më e thellë sesa një ndryshim emri. Kristalizon atë që jemi ne si komunitet”, kishte thënë një tifoz.

Fetishi në futboll për të ndryshuar emrat është ilustrimi i fundit se si sporti në shekullin e 21-të është infektuar nga lakmia, se si bukuria e lojës është transformuar nga një sport paternalist dhe egalitar në një industri globale që dominohet nga markat e mëdha. Siç e thotë edhe njëri nga autorët e “Soccernomics”, Simon Kuper: “Historia e vërtetë e Premierligës është thuajse vetëm për para”.

Për 27 vjetët e kaluara gjithçka është shtrenjtuar për tifozët e futbollit. Që prej viteve të 90-a kostoja mesatare e një bilete të ndeshjes është rritur për 600%, duke e bërë shikueshmërinë e rregullt vetëm për një pjesë të caktuar të shoqërisë.

Banorët lokalë të Londrës Veriore janë duke rezistuar ndaj dominimit të korporatave. Ideja e krenarisë lokale, ndjenjë që shpreh vlera dhe përkushtim ndaj komunitetit, vazhdon. Nëse ka shpresë, atëherë ajo qëndron në personat tradicionalë./Zëri