Dallimi i madh i të ardhurave mes femrave dhe meshkujve në futboll
Dallimi mes pagave të futbollit të femrave dhe atij të meshkujve është jashtëzakonisht i madh. Së fundmi përfaqësuesja amerikane e femrave në futboll ka përgatitur padi për diskriminim gjinor nga Federata e Futbollit të Shteteve të Bashkuara, shkruan sot, gazeta “Zëri”
Në mars të 2019-s lojtaret femra të përfaqësueses amerikane e përgatitën një padi kundër Federatës së Futbollit të Shteteve të Bashkuara për diskriminim gjinor dhe paga të pabarabarta. Padia vjen tre vjet pasi ekipi kombëtar amerikan i femrave në futboll formuloi një padi për diskriminim në paga përmes Komisionit të Mundësive të Barabarta për Punësim. Çështja ende ka mbetur e pazgjidhur, derisa ka edhe përshkallëzime në ekip.
Dallimi i madh mes pagave të femrave dhe të meshkujve në sportin profesional nuk është fare sekret. Nuk është rastësi që ekipi kombëtar i femrave në futboll përgatitën një dosje për padi tre muaj para se të fillojnë misionin për të ruajtur titullin e Kupës së Botës në Francë, titull që e kanë fituar tri herë.
Padia e formuluar nga përfaqësuesja amerikane e femrave në futboll shpreh akuzat për dallimin mes pagave të ekipeve kombëtare të meshkujve e atyre të femrave dhe për shkak se federata i ka paguar shumë më shumë meshkujt, pavarësisht se kanë arritje më të pakta. Por, sa paguhen ekipet e femrave? “Goal.com” sjell një raportim të detajuar.
Franca përfitoi 38 milionë dollarë nga FIFA pas triumfit në Kupën e Botës të vitit të kaluar, por kampioni në botërorin e sivjetmë të femrave do të përfitojë vetëm 4 milionë dollarë. Kjo verë do të shënojë katërvjetorin e titullit botëror të përfaqësueses amerikane të femrave. Është një vit ku ato mund të fitojnë titullin e katërt në përgjithësi dhe prapëseprapë do të paguhen shumë herë më pak sesa homologët e tyre meshkuj.
Sipas së përditshmes angleze “The Guardian”, padia pretendon se meshkujt pranojnë bonuse prej 17.625 dollarësh. Raporti i tyre thotë se kjo shumë është dyfishi i asaj që pranojnë ato, derisa meshkujt nuk kanë asnjë botëror të fituar dhe madje nuk kishin arritur të kualifikohen për “Rusia 2018”.
Gjithashtu padia potencon se futbolli në Amerikë i dha një bonus ekipit të meshkujve në vlerë prej 5 milionë dollarëve kur u eliminuan nga e teta e finales së Botërorit të vitit 2014, por federata i shpërbleu me vetëm 2 milionë dollarë femrat për titullin e tyre të fituar në vitin 2015.
Sidoqoftë ende mbetet e paditur se sa para arkëton futbolli i femrave në përgjithësi, ashtu siç edhe nuk dihen të ardhurat e FIFA-s nga sponsorët e mëdhenj, të cilët janë pjesë e dy botërorëve.
Por pavarësisht se fituan Kupën e Botës në vitin 2015 dhe thyen rekorde për audiencën më të madhe televizive për anglishtfolësit në futboll për meshkuj e femra, përfaqësuesja amerikane e femrave në futboll ka përfituar vetëm sa një e katërta e ekipit të meshkujve. Shuma që përfshin tre tituj të fituar të Kupës së Botës dhe katër medalje olimpike është e pakrahasueshme me shifrën prej 35 milionë dollarëve që fitoi përfaqësuesja gjermane për titullin e fituar në “Brazil 2014”. “Ju duhet të siguroheni që të ketë një proporcion të drejtë të përfitimeve”, thotë trajnerja e ekipit amerikan Jill Ellis. “Diferenca mes parave te meshkujt dhe te femrat është qesharake. Është shumë zhgënjyese që diferenca mes meshkujve e femrave në kupa të botës është rritur. E dërgon një mesazh të gabuar”, thotë Tatjana Haenni, që u tërhoq nga kreu i FIFA-s për futbollin të femrave në vitin 2017.
FIFA e ka dyfishuar shumën e përgjithshme të parave në 30 milionë dollarë që prej Botërorit të fundit të fermave, por është zhgënjyese sepse sipas AP-së shifra totale është 40 milionë dollarë më pak sesa çmimi që do ta fitojnë meshkujt në vitin 2022, që e çon në 440 milionë dollarë totalin e çmimeve.
Por sulmuesja legjendare e Brazilit, Marta e ka bërë një sqarim mjaft të mirë se pse meshkujt e femrat e meritojnë të paguhen njësoj, pavarësisht titujve të fituar. “Ju nuk duhet të fitoni asgjë për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë. Femrat duhet të trajtohen njësoj si meshkujt, sepse kjo është një gjë e duhur”, ka thënë Marta.
Në vitin 2016 përfaqësuesja amerikane e femrave po paguhej me 40% të shumës që përfitonte përfaqësuesja e meshkujve, edhe pas diskutimeve të shumta për diferencën, lojtaret dhe futbolli amerikan kanë arritur marrëveshjen e parë pesëvjeçare në favor të tyre. Deri në vitin 2021 marrëveshja siguron se femrat do të marrin bonuse më të mëdha, përkrahje më të madhe financiare për lojtaret shtatzëna. Por, a është e mjaftueshme?
Meshkujt e Premierligës përfitojnë një mesatare prej 3.5 milionë dollarësh në vit – marramendëse duke krahasuar me atë që përfitojnë femrat e Superligës së femrave.
Manchester City, pavarësisht se ka merituar për ndryshimin e qasjes ndaj lojës së femrave, duke e krijuar ekipin e vet të femrave, ka zbuluar se ekipi i femrave përfiton 88% më pak sesa ai i meshkujve, sipas “Bloomberg”-ut. Klube të tjera të Superligës përfshijnë edhe Arsenalin, Liverpoolin dhe Evertonin, që kanë diferenca të mëdha. Në periudhën e njëjtë Norvegjia ka njoftuar se do të paguajë ekipin e femrave me të njëjtat paga si të meshkujve, duke u bërë ekipi i parë i futbollit që e bën një gjë të tillë. Ata kanë rritur pagat e ekipit të fermave në 290.000 dollarë. Kjo u bë e mundshme falë edhe kontributit të meshkujve nga aktivitetet në reklama. Nuk është një gjë e lehtë, por e arritshme. Ka edhe argumente të tilla që thonë se loja e femrave duhet të tërheqë interesim, ashtu si e meshkujve për të përfitime të barabarta. Por Marta e tha më herët, ju duhet të jeni në gjendje të paguheni njësoj pavarësisht suksesit. Dhe nëse ka dallime të mëdha mes shikuesve në futbollin e femrave dhe atyre të meshkujve, atëherë është e qartë se duhet bërë më shumë për ta promovuar futbollin e femrave. Siç është dëshmuar nga Atletico Madridi dhe Barcelona, që e kanë rekordin më të madh të shikuesve në futbollin e femrave me 60.739 spektatorë, është e qartë se nuk ka dallim të madh të interesimit./Zëri