Filloi miniafati kalimtar, Prishtina ‘peshkon’ talentet kosovarë

Sport January 16, 2019 - 09:50
Detajet
Image

Federata e Hendbollit e Kosovës ka bërë të ditur se prej të martës ka filluar miniafati kalimtar i dimrit.

Hendbollistët dhe hendbollistet mund ta ndërrojnë skuadrën e tyre deri më 22 janar. Por, për hendbollistët që vijnë nga shtetet tjera mund të bëhen pjesë  e ndonjë skuadre kosovare deri më 28 shkurt.

Pas sezonit vjeshtor, tabelës në ligën më cilësore të hendbollit në vend i prin Kastrioti i Ferizajt me 26 pikë, aq sa ka edhe Besa Famgas, që është e dyta, përderisa në pozitën e tretë, me 24 pikë është Prishtina.

Trajneri i skuadrës nga kryeqyteti, Taib Kabashi, i tha ‘Zërit” se, skuadra e tij do të jetë konkurrente për titull edhe sivjet, shkruan Zëri.

“Prishtina gjithmonë luftojnë për trofe, edhe në këtë sezon shpresojmë të jemi konkurrentë për titull të kampionit dhe Kupën e Kosovës me Besën dhe Kastriotin, por duhet të cekim se në këtë sezon jemi ekip e përtërirë me lojtarë të rinj siç janë Amir Agushi, Yll Visoka, Flakrim Beqiraj, Atdhe Basholli, Besian Abazi, Agon Bajqinovci, Etrit Hoxha, ku shumica janë anëtarë të Përfaqësueses U-20”, tha për ‘Zëri’ nga Gjermania, trajneri Kabashi, duke shtuar se, e mira e klubit është edhe kthimi nga Metalaci i Zagrebit i hendbollistit me përvojë, Oltion Beshiri, të cilit do t’i ndihmojnë edhe lojatrët me përvojë si Lindrit Fetahu, Kreshnik Krasniqi, Kushtrim Kastrati, Albin Gjuka etj.

“Sa u përket përforcimeve, jemi në kontakte me disa hendbollistë të talentuar nga Kosova”, përfundoi numri një i bankinës së Prishtinës, Taib Kabashi./Zëri/