Granit Xhaka vlen 62.9 milionë euro

Sport January 09, 2019 - 11:27
Detajet

Institutet kërkimore ndryshojnë, por Kylian Mbappe mbetet praktikisht gjithmonë në krye të renditjeve, shkruan Panorama Sport. 

Postimi i parë javor për vitin 2019 i “CIES”, observatorit të njohur zviceran të futbollit, ka paraqitur 100 lojtarët me vlerën më të madhe në treg sipas një algoritmi specifik (ku merren në konsideratë disa faktorë, duke nisur nga mosha, klubi i përkatësisë, e duke përfunduar te paraqitjet sezonale).

Sulmuesi i PSG-së është në krye të listës së futbollistëve më të shtrenjtë mes 5 kampionateve kryesorë, i vlerësuar me 218.5 milionë euro. Kampioni i botës me Francën paraprin sulmuesit e tjerë Herri Kejn (i Totenhemit), i cili e ndjek në vendin e dytë me 200.3 milionë euro dhe Nejmar (shoku i skuadrës te PSG), që pozicionohet në vendin e tretë i vlerësuar me 197.1 milionë euro.

Rahim Sterling (185.5 milionë) dhe Mohamed Salah (184.3) kompletojnë pesë vendet e para. Lionel Mesi, ylli i Barcelonës, renditet i 7-ti në listë (me 171.2 milionë euro), ndërsa Kristiano Ronaldo, i transferuar verën e kaluar nga Reali i Madridit te Juventusi, i 19-ti (me 127.2 milionë). Kush mungon? Luka Modriç, fituesi i “Topit të Artë”.

KOMBET ME MË SHUMË PËRFAQËSUES – Në mesin e 27 lojtarëve me një vlerë të llogaritur prej mbi 100 milionë eurosh, gjashtëmbëdhjetë militojnë në Premier Ligë, pesë në La Liga, tre në Serinë A, dy nga Liga 1 franceze dhe vetëm një nga Bundesliga gjermane. Njëmbëdhjetë vende kanë përfaqësues me një vlerë të parashikuar mbi 100 milionë euro: Brazili (me plot 6 lojtarë), Anglia (5), Franca (5), Argjentina (2), Portugalia (2), Belgjika (2), Egjipti (1), Gjermania (1), Senegali (1), Uruguai (1) dhe Italia (1).

SHQIPËRIA KA XHAKËN – Edhe Shqipëria ka “përfaqësuesin” e saj në listën e 100 futbollistëve me vlerën më të lartë: është Granit Xhaka, mesfushori i Arsenalit, që vlerësohet 62.9 milionë euro dhe zë vendin e 74-ët. Lojtari më i shtrenjtë në kampionatin italian është sulmuesi që luan me skuadrën e Juventusit Paulo Dibala. Ndërsa i vetmi lojtar me origjinë italiane i vlerësuar mbi 100 milionë është Lorenco Insinje i Napolit.

Image

Image

Image