Arbër Zeneli flet në 'FIFA.com' për vitin fantastik pa humbje të Kosovës

Sport December 18, 2018 - 19:05
Detajet

Arbër Zeneli ndihet mjaft i lumtur me ecurinë e Përfaqësueses së Kosovës në vitin 2018, shkruan Zeri.info.

“Dardanët” e mbyllën vitin pa humbje dhe e fituan grupin e tyre në Ligën e Kombeve.

Dhe mesfushori ofensivë i kishte meritat e tij për këto të arritura të skuadrës së Bernard Challandes.

“Ishte një vit fantastik për ne si shtet i ri. Nuk e kemi menduar kurrë se do të mundë ta kalonim një vit të plotë të pamposhtur”, deklaroi futbollisti i Heerenvenit për “FIFA.com”.

“Liga e Kombeve ka qenë qershia mbi tortë gjithsesi. Ne donim ta fitonim grupin dhe ndeshja e fundit ishte një rezultat fantastik për ne si vend”, vazhdoi 23-vjeçari, i cili realizoi tre gola në fitoren 4:0 ndaj Azerbajxhanit.

Zeneli është rritur në Suedi ku ka luajtur për ekipet e të rinjve të këtij vendi nga mosha 15-vjeçare, por në fund zemra i rrahu më shumë për Kosovën.

“Në atë kohë nuk e dija se çka dëshiroja, pastaj pas një kohe mendova se kjo ishte zgjedhja e duhur”, vazhdoi ai.

“E ndjeva këtë në zemrën time dhe më pas vendosa për këtë. Asgjë nuk më ka bërë të mendoj se e kam bërë zgjedhjen e gabuar”, thotë tutje Zeneli.

Ai tregon se ishte ndier mjaft i lumtur kur Kosova u pranua në FIFA dhe ndihet krenar që i përfaqëson njerëzit e vendit të tij.

Emocionet e tij kur e përfaqëson Kosovën janë enorme.

“Kur e dëgjon himnin shtetëror për herë të parë dhe të gjithë zgjohen në këmbë së bashku, ky është një moment mjaft i mirë dhe emocionues”, shton ai.

Ndeshjen e parë me Kosovën Zeneli e ka zhvilluar ndaj Finlandës në kualifikimet e “Botërorit 2018”.

“Mundësia për të luajtur në kualifikimet e Botërorit ishte një eksperiencë e madhe. E patëm mundësinë të luanim ndaj përfaqësueseve të mëdha”, shprehet ai.

Tutje Zeneli shprehet se fitorja ndaj Azerbajxhanit ishte një natë e zjarrtë pasi shton se ai me shokë e bënë një punë perfekte.

Ai pret që viti 2019 të jetë mjaft interesant për Kosovën. Kjo e fundit e mbylli vitin në vendin e 131-të në renditjen e FIFA-s duke përparuar për 47 pozita nga janari. /Zëri/