Nëse s’e fton Serbia luan për Kosovën

Sport November 27, 2018 - 10:46
Lexo Detajet

Arton Zekaj e pranon se prioritet i tij është Kombëtarja e Serbisë. Mirëpo, futbollisti shqiptar i rritur në Serbi e ka hedhur “bombën” të hënën, duke i paralajmëruar serbët se nëse nuk merr ftesë nga ta do ta shqyrtojë seriozisht mundësinë që t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës, sigurisht nëse e fton kjo e fundit, shkruan Gazeta "Zëri"

18-vjeçari ka luajtur me ekipin e të rinjve të Serbisë, por nuk ka marrë garanci se mund të luajë edhe me Përfaqësuesen A të këtij vendi.

Ai po shkëlqen në fanellën e Lilles në Francë, me të cilin gjendet në vendin e dytë në Ligue 1, por që nuk ka vend për momentin në ekipin e Serbisë. “Unë isha kapiten i të rinjve, ndërsa tash nuk e di pse s’jam pjesë e ekipit. Nuk kam përgjigje. Isha i gatshëm për trajnerët, por nuk kam marrë ndonjë ftesë”, shprehet fillimisht ai për mediet serbe.

Zekaj: Më ftoi Kosova

Futbollisti nuk e ka fshehur faktin se është ftuar nga Përfaqësuesja e Kosovës në të kaluarën, por që nuk ishte i gatshëm të jepte përgjigje pozitive pasi fillimisht në mendjen e tij ishte Serbia. “Kam marrë ftesë nga Kosova, ata kërkuan të luaja për ta. Unë do të luaj për ekipin që më do më shumë. Do të doja të vazhdoj aty ku i kam kaluar kategoritë e ndryshme të Përfaqësueses, por nëse Serbia nuk më do unë nuk mund të bëj më shumë”, shprehet më tutje ai.

Mes Serbisë dhe Kosovës e zgjedh Serbinë

Por, nëse do t’i kishte në tavolinë ofertat nga Serbia dhe Kosova cilën do ta zgjidhte?

“Do të luaja për Serbinë. Unë jam lindur këtu, jam rritur dhe kam kaluar nëpër ekipet zinxhirore këtu”, insiston Zekaj, i cili megjithatë e lë të hapur opsionin që të luajë për Kosovën. “Prindërit e mi janë lindur atje. Natyrisht, nëse vendi ku jam lindur nuk shpreh interesim për mua më pas do ta konsideroj mundësinë të luaj për ekipin përfaqësues që më do”, ka vazhduar Zekaj.

Mediet serbe shkruajnë se është plotësisht e paqartë që njëri prej lojtarëve më të mirë të gjeneratës 2000 po lihet anash. Ndërkohë Zekaj kishte lëvizur drejt Lilles, i cili llogarit shumë në aftësitë e tij.

Sigurisht, Federata e Futbollit të Kosovës do ta shfrytëzojë rastin nëse i vjen kjo mundësi për ta afruar një supertalent të futbollit.