Pikët jetike!

Pikët jetike!

Sport nëntor 16, 2018 - 10:20
Image

Kontingjenti i Përfaqësueses së Kosovës të enjten në mesditë është vendosur në Maltë, ku të shtunën me ekipin mikpritës do ta zhvillojë ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve, shkruan sot gazeta Zëri.

Ekspedita e Verdhekaltërve është kryesuar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

“Dardanët” janë vendosur pasditen e djeshme në La Valeta të Maltës, ku në mbrëmje e kanë zhvilluar një seancë stërvitore e një të tillë të lehtë do ta zhvillojnë edhe sonte para ndeshjes së nesërme me maltezët.

Skuadra e Bernard Challandes i ka zhvilluar tri seanca stërvitore në Prishtinë, ndërsa lojtarët dukeshin në disponim dhe në formë të mirë, derisa atmosfera ka mbretëruar mjaft pozitive.

Samir Ujkani me shokë e konsiderojnë si mjaft të rëndësishme ndeshjen me Maltën, e cila duhet fituar, për ta pritur më pas më të qetë lojën me Azerbajxhanin, e cila do të zhvillohet të martën që vjen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Trajneri Challandes ka punuar në shumë aspekte këto ditë, me qëllim që të evitohen gabimet e shfaqura në ndeshjen e fundit ndaj Ishujve Faro.

Gjithashtu ekipi ka punuar në përgatitjen fizike, por provoi edhe skemat tekniko-taktike të lojës, gjuajtjet nga këndi, gjuajtjet e lira dhe ato nga pika e bardhë.

Lojtarët janë optimistë se nga Malta do të kthehen me rezultat pozitiv, i cili do t’ua hapte rrugën për ta siguruar pozitën e parë në Grupin 3, Liga D.

Shala: Udhëtojmë për fitore

Herolind Shala është lojtar i rëndësishëm i Kosovës. Mesfushori kualitativ beson se ai me shokë do t’ia dalin mbanë dhe nga Malta do të kthehen me rezultat të favorshëm.

“Çdo ndeshjeje ne i qasemi me seriozitetin më të madh. Nuk ka kundërshtarë të lehtë, por ne jemi përgatitur mirë dhe atmosfera në grup është jashtëzakonisht e mirë, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e pikëve, ndaj edhe udhëtojmë për fitore”, ka thënë Shala para nisjes.

Optimist për të dalë sa më mirë nga ndeshja e së shtunës, e cila fillon në orën 18:00, është shprehur edhe mesfushori tjetër i Kosovës, Hekuran Kryeziu.

“Asnjë ndeshje nuk është e lehtë, por ne shkojmë atje për tri pikë. Mbase duhet shikuar se çfarë po bën Azerbajxhani, por kjo nuk duhet edhe shumë të na interesojë, pasi synimi ynë janë tri pikët dhe jemi favoritë në grup dhe të ecim më tutje”, ka thënë mesfushori i shquar.

Kosova prin në grup me 8 pikë, duke i fituar dy ndeshje dhe duke barazuar në dy të tjera në muajt shtator e tetor.

“Dardanët” synojnë t’i përsërisin rezultatet pozitive edhe në muajin nëntor për të kaluar më tutje dhe për ta synuar kualifikimin direkt në Evropianin 2020. /Zëri/