Gati për Olimpiadën e të rinjve

Gati për Olimpiadën e të rinjve

Sport shtator 19, 2018 - 13:40

Boksieri Erdonis Maliqi është njëri nga pesë sportistët që do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore për të rinj “Buenos Aires 2018”, shkruan Zeri.info.

Erdonisi, së bashku me boksierin tjetër kosovar, Shpëtim Bajoku dhe selektorin Shefki Bogujevci, qe disa ditë është duke u përgatitur jashtë vendit. Maliqi premton se do ta japë më të mirën për ta përfaqësuar dinjitetshëm vendin e tij në Argjentinë.

“Jam i lumtur që na janë mundësuar përgatitjet para Lojërave Olimpike për të rinj. Do të përgatitemi dy herë në ditë dhe besoj se do të përgatitemi mirë. Ka qenë ëndërr e imja të marr pjesë në Lojërat Olimpike për të Rinj dhe shpresoj të fitoj medalje”, thotë Maliqi.

17-vjeçari është pjesë e klubit të Dritës së Gjilanit, derisa garon në kategorinë -64 kilogramë.

Deri më tani, Erdonisi ka punuar edhe në klubin e tij, kurse tash është duke i zhvilluar përgatitjet përfundimtare, ku do të punojë në përgatitje tekniko-taktike.

Federata e Boksit thotë se Erdonisi është talent i rrallë dhe ndër më të mirët në Evropë.

“Mendojmë që Erdonisi është talent i rrallë dhe jemi të bindur se është ndër boksierët më të mirë në Evropë, por herën e fundit në Kampionatin Evropian në Albena të Bullgarisë u dëmtua nga gjyqtarët. Shpresojmë që këtë herë të ketë fat dhe të kthehet me medalje”, njofton Federata e Boksit.

Boksierët do të përgatiten deri më 28 gusht.

Lojërat Olimpike Verore për të rinj “Buenos Aires 2018” mbahen në Buenos Aires të Argjentinës, prej 6-18 tetor. /Zëri/