Nesër luhet gjysmëfinalja e Kupës: Shkëndija – Renova

Nesër luhet gjysmëfinalja e Kupës: Shkëndija – Renova

Sport mars 13, 2018 - 16:52

Një javë pasi deklasoi 4:0 Vardarin dhe nxori jashta Kupës së Maqedonisë, Shkëndija para vetes ka tjetër përballje të kësaj gare.

Kuqezinjtë për një çast lënë anash kampionatin dhe kthejnë vëmendjen ka Kupa e Maqedonisë kur të mërkurën në program është ndeshja e parë e gjysmëfinales përballë Renovës.

Krahas kampionatit, objektivi i skuadrës është edhe trofeu i Kupës dhe për këtë arsye ekipi është i karikuar për të marrë rezultat sa më pozitiv që në ndeshjen e parë.

Duke luajtur sfidën e fundit kampionale me Rabotniçkin (fitore 2:0) të shtunën, kuqezinjtë të martën dhe të mërkurën kanë punuar me fokusin e drejtuar ka përballja e parë me Renovën.

Trajneri Osmani nuk do të mund të llogarisë në kapitenin e lënduar Ferhan Hasanin, si dhe Arbin Zejnullain që ende nuk është i gatshëm për lojë.

Futbollistët tjerë janë në disponim të stafit teknik, mdërsa formacioni startues do ta vendoset para fillimit të takimit.

Shkëndija – Renova luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 14:00.

Tradita flet për kuqezinjtë, hera e dytë me Renovën në Kupë

Shkëndija ka bilanc pozitiv nga përballjet direkte me rivalin lokal Renovën përballë të cilës nuk njeh disfatë në 10-të përballjet e fundit.

Skuadrat numërojnë 36-të ndeshje mes veti në të cilat kuqezinjtë kanë shënuar 17-të fitore, 10-të ndeshje janë mbyllur me barazim, ndërsa 9-të herë është gëzuar Renova.

Për herë të fundit rivali ka fituar në prill të vitit 2015, ndërsa prej atëherë në duelet me Shkëndijën numëron gjashtë humbje dhe 4 barazime.

Në dy takimet paraprake të këtij sezoni kuqezinjtë ishin bindës, madje në duelin e fundit regjistruan fitoren më të thellë (6:1) në historinë e klubit në Ligën e Parë.

Vlen të ceket se Shkëndija dhe Renova deri tani vetëm një herë janë ndeshur në kuadër të Kupës edhe atë në vitin 2005, kur kuqezinjtë fituan bindshëm dhe eliminuan rivalin.

Për shkak të ndëshkimit të terrenit, Shkëndija si vendase në Ohër fitoi 4:0, ndërsa takimi i kthimit në Tetovë u luajt pa praninë e publikut (Renova vuante dënim) dhe barazimi 1:1 u mjaftoi kuqezinjve të avancojnë më tej me rezultat të përgjithshëm 5:1.

Tani vijnë duele të reja të Kupës, në të cilat Shkëndija kërkon finalen e tretë me radhë dhe të pestën në histori.