Fabrika Ramiz Sadiku

Sport January 04, 2018 - 13:08
Dikur Ramiz Sadiku njihej si njëra prej fabrikave të ndërtimit më të famshme në botë. Tash Ramiz Sadiku është shndërruar në fabrikë për diçka tjetër. Klubi prishtinas ka nxjerrë shumë yje të futbollit në dekadën e fundit falë punës profesionale që po bëhet aty. Eros Grezda, Amir Rrahmani e vëllezërit Suad dhe Emir Sahiti janë vetëm disa nga futbollistët e mëdhenj që kanë kaluar nëpër duart e klubit prishtinas. Drejtori Agron Mecinaj thotë se deri tash ky klub nuk e ka përfituar asnjë cent nga nxjerrja e lojtarëve të mëdhenj, por shpreson që përfitimet të vijnë në të ardhmen. Ai është i bindur se nga klubi prishtinas do të dalin yje të rinj në vazhdimësi

Kur përmendet Ramiz Sadiku menjëherë të shkon mendja tek fabrika e ndërtimit, e cila para luftës ishte njëra prej më të famshmeve në botë.

Mirëpo viteve të fundit Ramiz Sadiku po shquhet më shumë si fabrikë e talenteve të futbollit, shkruan sot gazeta Zëri.

Në dekadën e fundit nga klubi prishtinas kanë dalë emra të mëdhenj të futbollit.

Mjafton t’i përmendim emrat e Amir Rrahmanit, Eros Grezdës e të vëllezërve Suad dhe Emir Sahiti për t’u bindur se Ramiz Sadiku e mban primatin në këtë drejtim në 10 vjetët e fundit.

Por, këta nuk janë të vetmit lojtarë që janë formuar nga Ramiz Sadiku apo që kanë kaluar nëpër duart e këtij klubi.

Pasi në këtë klub kanë luajtur dhe janë zhvilluar edhe futbollistët tjerë të njohur si portierët Visar Bekaj e Ardit Nika, Drilon Tejeci, Almir Ajzeraj apo edhe Blendi Baftiu, të cilët luajnë për ekipet zinxhirë të Kosovës nga U-19 e deri tek seniorët, derisa Grezda luan për Shqipërinë.

Drejtori Agron Mecinaj ndihet mirë për faktin se klubi i tij është duke prodhuar lojtarë të njohur.

“Çelësi i suksesit tonë është puna pa ngarkesë, pa presion. I kemi trajnerët profesionistë, të cilët kanë licenca dhe janë të shkolluar. Unë e menaxhoj klubin qe 15 vjet dhe i kam pasur duart e lira. Unë vetë kam qenë futbollist, kështu që shumicën e trajnerëve i kam pasur ish-kolegë futbollistë”, shprehet ai për “Zërin”.

“Lojtarët e mëdhenj që kanë dalë nga Ramiz Sadiku nuk do të thotë se e kanë nisur karrierën të gjithë tek ne. Por, tek ne në moshën më të mirë u është dhënë hapësira të luajnë. Edhe unë kur kam qenë trajner i kam kyçur me minutazh të vogël si 16 vjeç në ekipin e parë dhe pastaj gradualisht janë përmirësuar”, vazhdoi ai.

Image

Mecinaj e kishte marrë klubin e Ramiz Sadikut në dorë në vitin 2003, kur ishte pjesë e Ligës së Dytë, derisa nuk kishte fare ekip të juniorëve.

“Tash gati 10 vjet po i bëjmë që jemi stabil në Ligën e Parë me ekipin senior, kurse juniorët para një viti i kemi pasur kampionë të Kosovës”, tregon ai.

Sipas Mecinajt, tek Ramiz Sadiku nuk ka merita individi, por është një grup punëtorësh që janë në Ramiz Sadik dhe që janë koordinuar mjaft mirë nën menaxhimin e tij.

“Tek ne nuk ka lidhje kush është lojtari, i kujt është dhe çka është. Këtë përparësi e kemi në dallim prej klubeve tjera, ku ka raste kur punohet me të njofshëm”, shprehet ai.

Mecinaj u është falënderues lojtarëve të mëdhenj që i ka nxjerrë klubi, pasi thotë se ata janë mirënjohës dhe kohë pas kohe sjellin topa apo edhe e vizitojnë klubin, duke qenë kështu motiv shtesë për gjeneratat e reja.

Por, si arrin të mbahet ky klub? Drejtori i tij tregon se prishtinasit mbahen nga shkolla e futbollit, pastaj kanë të hyra prej lokaleve që i kanë ndërtuar përreth stadiumit dhe nga kompania të cilën e menaxhon vëllai i tij, që ndihmon qe disa vjet me pajisje, udhëtime, dreka, etj.

S’e kemi fituar asnjë cent deri tash

Mecinaj insiston se klubi i futbollit Ramiz Sadiku nuk e ka marrë asnjë cent prej asnjë lojtari që është larguar.

Gjithashtu ai zbulon se klubi nuk e ka penguar asnjë fëmijë nën moshën 18-vjeçare që kanë kaluar në klubet tjera, edhe pse në bazë të rregulloreve ka mundur të kërkojë dëmshpërblim.

Madje ai tregon se Ramiz Sadiku nuk u ka marrë dhe nuk u merr para as sot lojtarëve më të talentuar që ushtrojnë aty.

Megjithatë, ai shpreson që në të ardhmen ky klub të përfitojë para nga shitja e lojtarëve.

“Unë besoj se edhe në gjeneratën që e kemi kemi lojtarë që janë premtues dhe që mund ta arrijnë cilësinë e lojtarëve të njohur që kanë dalë deri tash. I kemi bërë dy grupe, A dhe B, po marrim pjesë në gara me dy grupe dhe talentet që i vërejmë bëjmë punë shtesë me ta”, tregon Mecinaj, i cili shton se Komuna e Prishtinës për vitin 2017 klubit ia ka ndarë vetëm 2000 euro, të cilat thotë se i shkojnë për t’i paguar referët për dy vikende në të gjitha kategoritë.

Fokus i Ramiz Sadikut është që të jetë stabil në Ligën e Parë me ekipin senior dhe të shpallet sa më shpesh kampion në ligën e juniorëve.

Dhe, pas pesë vjetësh Mecinaj thotë se do të mendojë për një rikthim në Superligë. Për momentin mundësitë nuk e premtojnë një gjë të tillë. /Zëri/

Futbollistët e prodhuar dhe që kanë kaluar nga Ramiz Sadiku për Kosovën e Shqipërinë

Eros Grezda – Shqipëria A

Amir Rrahmani – Kosova A

Suad Sahiti – Kosova A

Emir Sahiti – Shqipëria U-21

Visar Bekaj – Kosova U-21

Drilon Tejeci – Kosova U-21

Almir Ajzeraj – Kosova U-21

Blendi Baftiu – Kosova U-19

Ardit Nika – Kosova U-19