Më shumë se finale

Sport May 24, 2017 - 15:02

Ajaxi dhe Manchester Unitedi do të përballen sonte në Stokholm të Suedisë në finale të Europa Leagues, në kërkim të trofeut të çmueshëm. Për “Djajtë e Kuq”, kjo do të jetë më shumë se një finale pasi triumfi eventual do t’i dërgojë ata në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. UEFA ka siguruar se kjo ndeshje nuk paraqet rrezik, pas sulmit të fundit terrorist në Manchester

Ajaxi dhe Manchester Unitedi do të përballen sonte në mes vete në finale të Europa League, shkruan sot gazeta Zëri.

Të dyja skuadrat do të mundohen ta fitojnë ndeshjen që do të luhet në Stokholm të Suedisë për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Pa diskutim, kjo do të jetë më shumë se një finale për “Djajtë e Kuq”, të cilët, në rast të fitores eventuale, do ta sigurojnë edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Për shkak të sulmit terrorist, i cili ndodhi të hënën mbrëma në Manchester, gjiganti britanik ka vendosur të mos mbajë fare konferencë për shtyp, në shenjë respekti për 22 viktimat e pafajshme.

Ander Herrera, futbollisti i Unitedit, ka thënë se skuadra është e bashkuar dhe e motivuar për ta fituar këtë trofe, ndërsa e ka përmendur edhe kontributin e Zlatan Ibrahimoviçit këtë sezon.

Sulmuesi suedez, i cili ka pësuar lëndim të rëndë muaj më parë, do të jetë i pranishëm në stadium për t’i mbështetur shokët e skuadrës.

“Unë gjithmonë e them se ky është një ekip sportiv, jemi një ekip. Arsyeja se përse i kemi fituar dy trofe këtë sezon është sepse çdokush ka qenë këtu, duke punuar dhe duke ndihmuar. Kjo finale është për të gjithë”, ka thënë përfaqësuesi spanjoll.

“Natyrisht, 11 lojtarë do të jenë në fushë, por secili është gati të ndihmojë dhe t’i përkrahë bashkëlojtarët. Prandaj, nëse e fitojmë trofeun e Europa Leagues, kjo do të jetë për çdonjërin. Të gjithë kanë qenë pjesë e tij, përfshirë këtu Ibrahimoviçin dhe Youngun, të cilët kishin eksperiencë të shkëlqyeshme. Të gjithë janë të rëndësishëm këtu”, ka shtuar ai.

UEFA: S’ka rrezik për finale

UEFA ka siguruar se nuk ekziston ndonjë rrezik për ndeshjen e sontme finale të Europa League, pas eksplodimit që ndodhi në Manchester. Shtëpia e futbollit evropian ka bërë të ditur se inteligjenca nuk ka sugjeruar se finalja e Europa League mund të jetë target i sulmeve. UEFA shton se ka punuar nga afër me autoritetet lokale dhe Federatën e Futbollit të Suedisë për disa muaj dhe se nuk ka ndonjë rrezik të sulmeve terroriste. Ndërkohë, shumë pjesëtarë të sigurisë janë në gatishmëri për çdo rast.

Fakte interesante

- Kjo është hera e parë që një klub holandez e arrin finalen që nga viti 2002, kur Feyenoordi e kishte bërë një gjë ët tillë. Ndërkaq, Manchester United është ekipi i tretë anglez në pesë sezonet e fundit që shkon në finale (Chelsea më 2013 dhe Liverpool më 2016);

- Ajaxi dhe Manchesteri janë takuar katër herë më parë në garat evropiane duke ndarë nga dy fitore;

- Kjo do të jetë hera e tretë që një klub anglez dhe një holandez takohen në finale të kompeticioneve evropiane;

Finalja e Europa League do të luhet ekzakt 22 vjet pasi Ajaxi e kishte fituar trofeun e parë evropian duke e mundur Milanin në finalen e Championsit në vitin 1995;

- Klubi holandez e ka ngritur trofeun në gjashtë nga tetë finalet që i ka siguruar në kompeticionet evropiane;

- Klubi anglez i ka fituar katër nga gjashtë trofetë e mundshëm ku kishte shkuar në finale në kompeticione evropiane, duke i humbur dy finalet nga Barcelona në Champions;

- Manchester United e ka siguruar finalen e parë në Europa League/Kupa UEFA në histori të tij;

- “Djajtë e Kuq” kanë shkuar në 10 ndeshje pa u mposhtur në këtë kompeticion (7 fitore e 3 barazime), duke pranuar vetëm katër gola nga ajo kohë. /Zëri/