Bashkimi, lehtë në finale

Sport May 04, 2017 - 18:23

Bashkimi është finalisti i parë i “Play-Off”-it të Superligës së Kosovës në basketboll, shkruan zeri.info.

Skuadra prizrenase e ka deklasuar Pejën, duke e mposhtur me rezultat të përgjithshëm 3:0 në serinë e ndeshjeve gjysmëfinale, për ta prerë biletën e finales për herë të parë që nga sezoni 2008/09, pra pas tetë edicionesh pritjeje.

Prizrenasit e kanë shfrytëzuar largimin e yjeve të Verdhezinjve para ndeshjeve të fazës finale, duke fituar me lehtësi një herë në palestrën e sporteve “Sezai Surroi” dhe dy herë në atë “Karagaçi”.

Edhe në duelin e djeshëm pejanët e rinj u treguan të pafuqishëm karshi prizrenasve, që fituan me rezultat 117:96 (41:20, 29:31, 21:23 e 26:22).

Më i miri tek ekipi Portokalli ishte Kayel Locke me 33 pikë, kurse 31 pikët e Arian Qollakajt ishin të pamjaftueshme për pejanët, që po i kalojnë ndoshta momentet më të vështira që prej ekzistimit të tyre. /Zëri/

Superliga

Gjysmëfinalja e "Play-Offit"

Peja – Bashkimi 96:117 (0-3 në seri)