Ronaldo hero, Reali me një këmbë në finale
Real Madridi e ka bërë një hap gjigant drejt finales së Ligës së Kampionëve, të dytës radhazi. “Los Blancos” e kanë fituar betejën e parë gjysmëfinale me rivalët lokalë të Atleticos, të cilën e mposhtën me rezultat të thellë 3:0, në ndeshjen e zhvilluar sonte në “Santiago Bernabeu”.
Reali ishte më i mirë në pjesën e parë, ndërsa në atë të dytë Atletico pati diçka më shumë, por nuk arriti ta gjente golin.
Cristiano Ronaldo ka qenë hero i “Los Blancos” duke realizuar “Hat-Trick”.
Fillimisht, ylli portugez e kaloi ekipin e Zinedine Zidane në epërsi në minutën e 10-të me golin e shënuar me kokë.
Ndërkaq, CR7 doli në skenë përsëri në minutën e 73-të, duke e shfrytëzuar një gabim të mbrojtjes kundërshtare për ta shënuar një supergol.
Ai nuk u ndal me kaq, duke e shënuar edhe golin e tretë në minutën e 86-të.
Reali e administroi mjaft mirë lojën dhe e ruajti avantazhin, i cili është një kapital i madh para ndeshjes së kthimit, e cila do të zhvillohet në “Vincente Calderon”.
Në këtë stadium, Reali shkon për ta konfirmuar kualifikimin, kurse Atletico do ta kërkojë mrekullinë në shtëpi, edhe pse do të ketë punë mjaft të vështirë.
Siç dihet, Reali e ka eliminuar Atleticon në tre edicionet e fundit, prej tyre, dy herë e ka mposhtur në finale të Championsit, duke u bërë “mace e zezë” për skuadrën e Diego Simeones. /Zëri/