Juventusi e Monaco kompletojnë gjysmëfinalen e Championsit
Juventusi dhe Monaco e kanë prerë nga një biletë për gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke iu bashkuar skuadrave madrilene, Real e Atletico. “Bianconeri” e eliminuan Barcelonën, derisa ekipi francez e çoi në shtëpi Borussia Dortmundin, shkruan zeri.info.
Gjiganti katalunas barazoi pa gola me Juventusin, 0:0, në ndeshjen e kthimit, duke u treguar e paaftë për ta rikthyer rezultatin, siç kishte bërë me Paris Saint-Germainin.
Juve e ruajti mjaft mirë kapitalin nga ndeshja e parë, të cilën e kishte fituar 3:0 dhe shkoi në gjysmëfinale.
Në duelin tjetër, Monaco e mundi Borussia Dortmundin 3:1, duke ecur tutje pasi e kishte fituar edhe ndeshjen e parë, 3:2.
Golat për ekipin mbretëror francez i kanë shënuar Kylian Mbappe Lottin në minutën e tretë, Radamel Falcao në atë të 17-të dhe Valere Germain në minutën e 81-të.
Ndërkaq, për ekipin gjerman, golin e pamjaftueshëm e shënoi Marco Reus në minutën e 48-të. /Zëri/
Liga e Kampionëve
Çerekfinalja
Barcelona – Juventus 0:0 (0:3)
Monaco – Borussia Dortmund 3:1 (3:2)
*Në kllapa, rezultatet e ndeshjeve të para