KF Gjakova, fabrikë e lojtarëve të mëdhenj

Sport April 18, 2017 - 11:52

KF Gjakovës nuk ia ka pa hairin vetëm Vëllaznimi, por edhe klubet evropiane. Kjo pasi klubi gjakovar ka nxjerrë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar. Besnik Hasi, Ardian Kozniku e Neshet Zhaveli janë vetëm tre nga lojtarët që kanë bërë karrierë të bujshme në Evropë, e që kanë dalë pikërisht nga KF Gjakova. Vështirësitë financiare e kanë shtyrë këtë klub ta pushojë ekipin senior, por jo edhe traditën. Përkundër problemeve dhe vështirësive të ndryshme, ky klub vazhdon të jetë i fokusuar te talentët në përpjekje për të nxjerrë emra tjerë të mëdhenj

Klubi i futbollit Gjakova gjithnjë ka qenë vatër e talenteve dhe lojtarëve të mëdhenj, edhe pse më i famshëm në këtë qytet është Vëllaznimi.

Ky i fundit hon e don është furnizuar me futbollistë nga klubi i dytë i qytetit, i cili është një “fabrikë” e futbollistëve, shkruan sot gazeta Zëri.

Një pjesë e mirë e lojtarëve që e kanë bartur barrën kryesore të Vëllaznimit pas luftës, por edhe para saj, janë rritur pikërisht tek KF Gjakova.

Por, jo vetëm kaq. Kjo e fundit ka nxjerrë lojtarë edhe më të mëdhenj, të cilët kanë bërë karrierë të suksesshme edhe në arenën ndërkombëtare.

Image

Mjafton t’i përmendim emrat e Ardian Koznikut, Besnik Hasit apo edhe Neshet Zhavelit, për ta kuptuar se çfarë kalibri të lojtarëve ka nxjerrë klubi gjakovar.

“Klubi i futbollit gjakova daton që nga janari i vitit 1961, ndërsa nga ky klub kanë kaluar gjashtë gjenerata. Emrat që kanë dalë nga ky klub janë: Neshet Zhaveli, që ka luajtur në Rijekë, Fenerbahçe e Sakariaspor, pastaj Ardian Kozniku, që ka luajtur në Hajduk, Cannes, Le Havre, Bastia, Dinamo Zagreb e Apoel Qipro, Besnik Hasi, që ishte pjesë e Dinamo Zagrebit, Nk. Zagreb, Nk.Samobor, Genk, Anderlecht, por edhe emra të tjerë si Bashkim Radogoshi, Ali Shehu, Genc Hoxha, Bujar Roka, Agim Binaku (Bulli), Kujtim Lleshi, Gjeladin Bunjaku, etj”, tregon fillimisht për “Zërin” Gzim Daka, drejtor sportiv dhe njëherësh kryetrajner i KF Gjakovës.

Image

Fokusi, tek të rinjtë

Kohëve të fundit ekipi senior ka pësuar rënie të madhe, mbi të gjitha për shkak të vështirësive në të cilat ka hasur klubi, që s’kishte mbështetje të mjaftueshme. Drejtuesit e klubit thonë se janë fokusuar tek të rinjtë, respektivisht në nxjerrjen e talenteve tjera të reja.

Image

“Arsyeja e pushimit të ekipit senior janë financat. E kishim vështirë ta mbanin klubin, i cili deri vonë ka qenë nën patronatin e kombinatit të tekstilit ‘Emin Duraku’. Por, kryesia e asaj kohe nuk pati forcën t’i përballonte shpenzimet dhe e kishin marrë vendimin për pushimin e aktivitetit të ekipit të parë për një kohë. Pra, u mor vendimi që në kuadër të klubit ta vazhdojë punën shkolla e futbollit. Aty bëhet punë profesionale, me staf drejtues dhe me një kryesi të re, të përbërë nga njerëz që e duan futbollit dhe prindër të fëmijëve”, shton Daka, i cili pret ditë më të mira për klubin, mbi të gjitha pasi të futet në funksion Ligji i Sportit dhe i Sponsorizimeve.

Image

Sukseset ndërkombëtare

Gzim Daka i ka përmendur edhe sukseset që i ka arritur KF Gjakova me grupmoshat e reja, brenda dhe jashtë vendit, shkruan Zëri.

Në Kampionatin Botëror për grupmoshat të reja, në vitin 2013, me grupmoshën U-12 Gjakova ishte shpallur kampione në “Gothia Cup” në Suedi, ndërsa më vonë me të njëjtën grupmoshë kishte përfunduar në pozitën e tretë në të njëjtin eveniment.

Image

Gjithashtu, në vitin 2016 në Danimarkë, në qytetin Hjorring, ku mbahet turneu më prestigjioz në botë për grupmoshat të reja, Gjakova ishte stolisur me vendin e parë me grupmoshën U-12 si dhe me U-13 e kishte zënë vendin e dytë.

Image

Po ashtu, Daka tregon se Gjakova është kampion i shumëfishtë në grupin rajonal të Gjakovës me të gjitha grupmoshat, e po ashtu edhe kampion i Kosovës me U-13 në vitin 2015 dhe shumë tituj dhe turne të fituar në vend dhe në rajon.

Krahas kryetrajnerit Daka, tek KF Gjakova punojnë tre trajnerë: Lirim Dujaka, Artin Daka dhe Faton Brahushi.

Ky klub vepron me grupmoshat: parafatosë, fatosë, pionierë të rinj, pionierë të vjetër, kadetë dhe juniorë. Me këta të fundit garon në Superligën e Kosovës.

Image

Tek KF Gjakova çdo fëmijë i paguan nga 10 euro në muaj për stërvitje, 3 euro në javë për termine të fushës, me të cilat mbahet klubi, pasi mbështetje tjetër nuk ka.

Ai ka mbetur i zhgënjyer me Komunën e Gjakovës, respektivisht me kryetaren Mimoza Kusari - Lila, që ka dhënë premtime, por nuk e ka ndihmuar klubin. Daka po ashtu bën thirrje për ndihmë, pasi thotë se fëmijët janë themeli i shtëpisë së madhe të quajtur futboll. /Zëri/

Image