Gjakova e Krasniqi fitojnë medalje, dështon Kelmendi
Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë veshur me ar. Dy xhudistet pejane ia kanë zbardhur fytyrën Kosovës duke fituar medalje të arta në turneun prestigjioz “Grand Prix Antalya 2017”, pasi ishin të pakonkurrencë në kategoritë përkatëse. Kjo ishte hera e parë që dy xhudiste kosovare marrin medalje të arta në një eveniment të tillë. Nesër është radha e meshkujve. Medalje do të kërkojnë edhe Akil Gjakova dhe Kushtrim Gashi
Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi ia kanë zbardhur fytyrën Kosovës duke fituar medalje të arta në turneun e njohur të xhudos, “Grand Prix Antalya 2017”, i cili po mbahet në Antalya të Turqisë.
Ato janë treguar të pakonkurrencë, duke i radhitur fitoret një nga një, për t’u veshur në fund me ar, shkruan "Zëri".
Nora, e pakonkurrencë
Nora Gjakova është treguar e pakonkurrencë në kategorinë 57 kilogramë. Xhudistja pejane e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytë ishte më e mirë se xhudistja nga Kirgistani, Kseniia Beldiagina, për të kaluar nga grupi i saj.
Në gjysmëfinale medalistja e Lojërave Evropiane të Bakusë e ka mundur kongolezen Khulan Tseregbaatar, derisa në finale shkëlqeu ndaj izraelites Timma Nelson Levy për ta fituar të artën.
Shkëlqen edhe Distria
Distria Krasniqi po tregon se ky ndoshta do të jetë viti i saj. Ajo u vesh me ar pasi i “likuidoi” kundërshtaret një pas një, madje me lehtësi.
“Disi” rundin e parë e ka kaluar pa luftë, kurse në xhiron e dytë e ka eliminuar izraeliten Ariel Bezalel, duke e fituar grupin në kategorinë 52 kilogramë.
Në gjysmëfinale ajo ishte më e suksesshme se turkja Merve Tas, kurse në finale ia doli ta mposhtë izraeliten Gili Cohen.
Kelmendi mbetet pa medalje
Krahas Norës dhe Distrisë në turneun e Antalyas ka marrë pjesë edhe garuesja e tretë kosovare Fjolla Kelmendi. Ajo ka humbur në rrethin e dytë në kategorinë 48 kilogramë.
Në rundin e parë ajo e eliminoi turken Melisa Cakmakli, kurse në atë të dytë u mund nga izraelitja Shira Rishony, shkruan tutje "Zëri".
Xhudistja pejane e kërkoi medaljen përmes repasazhit, por nuk ia doli dot pasi u mund që në tentimin e parë nga xhudistja nga Azerbajxhani, Aisha Gurbanli.
Kuka: Hera e parë që fitojmë dy medalje në “Grand Prix”
Trajneri Driton Kuka është shprehur mjaft i lumtur me suksesin e garueseve të tij, duke treguar se diçka të tillë xhudistet kosovare nuk kishin arritur më parë.
“Kjo është hera e parë që Kosova fiton dy të arta në nivelin ‘Grand Prix’ të Kupave Botërore. Shqiptarët kudo që janë i panë live heronjtë tanë modernë”, ka thënë Kuka.
Gjakova e Gashi garojnë nesër
Derisa sot ishte dita e femrave, nesër do të garojnë meshkujt në Antalya. Akil Gjakova dhe Kushtrim Gashi do të kërkojnë medalje në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Shorti është hedhur dhe tashmë të dy i dinë kundërshtarët.
Akili do të ketë punë në rundin e parë me rumunin Alexandru Raicu, kurse Kushtrimi me garuesin nga Tagjikistani, Khaiyomiddin Zhabborov. /ZËRI/