Kosova, maksimumin në Shqipëri

Sport April 04, 2017 - 12:45

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave është nisur të hënën për në Shqipëri, përkatësisht në Durrës, ku është vendosur dhe do të përgatitet për ndeshjet parakualifikuese për kampionatin botëror “Franca 2019”.

Kosova është në Grupin B bashkë me Shqipërinë, që është edhe organizatore e turneut parakualifikues, si dhe Greqinë dhe Maltën, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndeshjen e parë Kosova do ta zhvillojë më 6 prill kundër Kombëtares së Shqipërisë në “Elbasan Arena” në orën 12:00, ndërsa më 8 prill Kosova ballafaqohet me Greqinë në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë nga ora 12:00 dhe në po të njëjtin stadium më 11 prill takohet me Maltën nga ora 14:00.

Përzgjedhësja Afërditë Fazlija para nisjes u shpreh optimiste për eksperiencën e parë të Kosovës në një eveniment të tillë.

“Ne së pari nuk e kemi pritur që të jemi në këtë nivel. Ne si grup nuk do të shkojmë vetëm sa për t’u paraqitur, por do të jemi një ekip homogjen. Meqenëse ndeshjen e parë e kemi me Kombëtaren e Shqipërisë kjo e bën ndeshjen më emocionuese. Shkuarja e Qëndresa Krasniqit dhe e 13 futbollisteve nga Kosova për të luajtur për Kombëtaren Shqiptare sigurisht se na dëmton, por ne jemi përpjekur ta komponojmë ekipin sa më mirë. Jemi të vetëdijshëm për mungesën e përvojës ndërkombëtare, por do ta bëjmë më të mirën e mundshme dhe do të jemi ekip serioz”, theksoi ajo.

Lista e Përfaqësueses:

Florentina Kolgeci (KFF Hajvalia), Ilfete Ktyeziu (Kosova P) Diellza Musa (KFF Mitrovica), Antigona Miftari (KFF Mitrovica), Blerta Kaçiu (KFF Hajvalia), Donjeta Haxha (KFF Mitrovica), Liridona Syla (KFF Hajvalia), Gentiana Lushtaku (KFF Mitrovica) Fitore Govori (KFF Kosova(P), Egzona Zeka (Lugano), Besmira Morina (Falkopings KIK -Suedi), Marigona Durguti (Falkopings KIK -Suedi), Feride Kastrati (KFF Llapi), Qendresa Bajra (KFF Hajvalia), Edona Kryeziu (KFF Hajvalia), Blerina Musa (KFF Mitrovica), Valentina  Limani (FFC-Frankfurt), Agnesa Rexha (KFF Mitrovica), Arta Rama (KFF Mitrovica), Kaltrina Biqkaj (KFF Intelektualet), Antigona Behluli (Cyrih), Blerta Shala (Cyrih), Zylfije Bajrami( KFF  Hajvalia).

Në Shqipëri udhëtuan edhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe kryetarja e Komisionit për Futbollin e Femrave, Vjollcë Krasniqi, përzgjedhësja Afërditë Fazlija, ndihmëstrajnerët, Sanije Krasniqi, Veton Çitaku e Besart Ismajli, mjeku: Enver Rexha, fizioterapeuti: Sabit Hajra dhe Rinor Havolli. /Zëri/