EKSKLUZIVE: Flasin akterët e ndeshjes së dyshuar për kurdisje

Sport April 02, 2017 - 22:25

Trepça e ka shënuar sot njërën prej fitoreve më të mëdha dhe më të rëndësishme të sezonit. “Xehetarët” festuan pas një kohe të gjatë, duke e mposhtur Besën në Pejë me rezultat 3:1.

Mirëpo, qysh të shtunën kishin filluar dyshimet rreth mundësisë së kurdisjes së kësaj ndeshjeje, shkruan zeri.info.

Sidoqoftë, të dyja palët zotohen se gjithçka ishte e pastër dhe se mitrovicasit e fituan me meritë këtë lojë. Trajneri Fidaim Haxhiu insiston se ekipi gjelbër e zi e dha maksimumin dhe fitoi me meritë.

Sipas tij, dikur fitorja duhej të arrinte dhe ajo erdhi ndaj një ekipi me të cilin mitrovicasit kanë statistika impresionuese këtë sezon.

“Që para fillimit të ndeshjes së Kupës me Besën kanë nisur spekulimet, por unë nuk merrem me to. Ne kemi fituar me plot meritë dhe i humbëm dy lojtarë të rëndësishëm, Enis Zabërgjën dhe Ardian Mujën, që u lënduan. Ka qenë jetike për ne që ta fitojmë këtë lojë, për t’i mbajtur gjallë shpresat për të mbetur në Superligë. Edhe ne duhet të fitojmë ndonjëherë, ishte rendi të fitojmë, garantoj unë që fitorja e jonë ishte e pastër”, thotë për “Zërin” trajneri Fidaim Haxhiu.

“Trepça nuk ka para të blejë lojë, mezi po kemi që të mbijetojmë. Kemi statistika të mira këtë sezon me Besën, kemi dy fitore dhe dy barazime, prandaj fitorja e jonë nuk ishte e befasishme. Ne jemi të qetë dhe do ta vazhdojmë rrugën tonë. Kemi luajtur me ekipin më të mirë, ndërsa Besa i ishte në fushë disa lojtarë të rinj. Ne do ta vazhdojmë rrugën tonë me qëllim që ta sigurojmë mbijetesën, edhe pse do të jetë mjaft e vështirë. Nuk ka rëndësi çka thonë njerëzit, por kush e thotë këtë”, përfundoi Haxhiu.

Besa i hedh poshtë akuzat

Edhe Besa i ka hedhur poshtë akuzat për rregullimin e ndeshjes ndërmjet tyre dhe Trepçës. Sekretari i klubit, Egzon Maraj siguron se klubi kuq e bardh nuk hyn kurrë në lojëra të tilla të pista.

“Ne i hedhim komplet poshtë këto spekulime. KF Besa njihet me traditë të madhe të futbollit në Kosovë, nuk hyjmë ne kësi yjërave asnjëherë. Sa i përket lojës me Trepçën, është spekuluar shumë, ne kemi luajtur me ekip që kishte shumicën e përbërjes me lojtarë të rinj, që premtojnë për të ardhmen, pasi që synim yni është Kupa, pasi jemi shumë afër kualifikimit në finale”, thotë ai për gazetën Zëri.

“Kemi pasur lëndime të lojtarëve kyç, kartonë e të tjerë gjëra, të cilat kanë bërë që trajneri të luajë me lojtarë më të rinj. Dihet që Trepça ka një ekip të mirë dhe pjesën e parë të kampionatit kemi pësuar humbje në stadiumin tonë nga ky ekip. Edhe sot u tregua më e saktë në ato raste që ju dhanë, e shfrytëzoi pak a shumë mospërvojën e lojtarëve të rinj dhe e arriti fitoren. Ne na mbetet të punojmë maksimalisht dhe uroj të mos na përcjellin lëndimet dhe ta arrijmë qëllimin tonë, Kupën e Kosovës”, vazhdoi Maraj.

UEFA po na vëzhgon

UEFA javë më parë e ka njoftuar “Zërin” se është duke i përcjellë me vëmendje, përmes kompanisë së kontraktuar, ndeshjet e Superligës së Kosovës, njëjtë si të krejt anëtarëve të saj, duke lejuar zero tolerancë dhe dënime të pakompromis ndaj ekipeve që kurdisin ndeshje. Pra, nga ky sezon, futbolli kosovar po monitorohet me vëmendje nga lart. /Zëri/