Barcelona në stilin e kampionit, fitore me gjashtë gola (VIDEO)
Barcelona e filloi sezonin e ri në La Ligë në mënyrën më të mirë të mundshme, me fitore dhe spektakël në lojë.
Ekipi i trajnerit Luis Enrique mposhti Real Betisin me rezultat të thellë 6:2 në Camp Nou.
Arda Turan, i aktivizuar në formacionin bazë pas mungesës së Neymarit – i angazhuar me Brazilin në Lojërat Olimpike në Rio – kaloi Barcelonën në epërsi në minutën e gjashtë.
Por, Betis befasoi duke barazuar rezultatin me një gol të bukur nga Ruben Castro. Por, para se të përfundonte pjesa e parë, Lionel Messi e Luis Suarez shtuan nga një gol për epërsinë komode të vendasve.
Dyshja e njëjtë, Suarez e Messi shënuan edhe nga njëherë brenda dy minutave për ta marrë kontrollin e plotë të ndeshjes. Ndërsa, Suarez kompletoi het-trikun e tij në minutën e 82-të, me një gol të bukur nga goditja e lirë.
Casto shënoi edhe njëherë për Betisin por vetëm për lavdinë personale sepse fitorja e kampionit nuk ishte asnjëherë në dyshim.