'Mbretëresha e Tatamit', inspirim i të rinjve
Majlinda Kelmendi është bërë inspirim për të rinjtë në Kosovë. Xhudistja kosovare e fitoi Medaljen e Artë Olimpike në “Rio 2016”, të parën në histori të vendit më të ri në Evropë, pasi shkëlqeu në Olimpiadën e Rios, kategoria 52 kilogramë.
Pejania është kthyer të dielën që shkoi në atdhe, duke u pritur si heroinë, së bashku me trajnerin e saj, Driton Kuka, si dhe xhudisten tjetër, Nora Gjakova, shkruan Zëri.
Së pari, asaj iu organizua një pritje institucionale në aeroportin “Adem Jashari”, e më pas me një autobus të hapur u përshëndet nga dhjetëra-mijëra qytetarë në Prishtinë, për ta vazhduar rrugëtimin në Pejë, ku u prit nga bashkëqytetarët e saj si një mbretëreshë e vërtetë.
25-vjeçarja, e cila në Olimpiadën e Londrës, katër vjet më parë, kishte garuar për Shqipërinë, ia ka kushtuar këtë medalje vendlindjes së saj – Kosovës.
Mediat e huaja kanë shkruar vazhdimisht për suksesin e jashtëzakonshëm të sportistes kosovare, ndërsa së fundmi, një shkrim e ka bërë edhe gjiganti mediatik sportiv, “Eurosport”.

Ky i fundit e ka përshëndetur suksesin e Majlindës, për të cilën thotë se do ta ndihmojë dhe ta inspirojë gjeneratën e re të sportistëve nga vendi i saj.
Ndër të tjera, ky medium e ka quajtur Majlindën si “Mbretëresha e Tatamit”, duke e ngritur atë në qiell, pasi e dominoi xhudon botërore në vitet e fundit, duke u shpallur dy herë kampione evropiane dhe dy herë kampione botërore, përpos medaljes olimpike.
“Jam mjaft e lumtur, jo vetëm për veten. E gjithë kjo punë dhe sakrificë është bërë për vendin tim, Kosovën. Për njerëzit e mi, e posaçërisht për inspirimin dhe motivimin e të gjithë të rinjve të Kosovës”, ka deklaruar Kelmendi, raporton Zëri.
Si shpërblim nga shteti, ajo do t’i marrë 100 mijë euro për Medaljen e Artë Olimpike. Ndër të tjera, ajo ka treguar se ka refuzuar oferta milionëshe nga vendet tjera, por që në fund ka insistuar se paratë e krejt botës nuk do ta lumturonin më shumë se medalja që ia solli Kosovës.
Majlinda ka fituar praktikisht gjithçka që mund të fitojë një sportiste dhe tash e tutje i mbetet vetëm t’i përsërisë sukseset e arritura deri tash. /Zëri/