Shkoi në Beograd, Aulona Beselica reagon sërish pas kritikave
Udhëtimi i influencereve kosovare në Serbi vazhdon të shkaktojë reagime në rrjetet sociale, ndërsa Aulona Beselica ka vendosur të flasë sërish publikisht për polemikat që e kanë shoqëruar.
Gjithçka nisi pasi Aulona Beselica dhe Peoma Rudi udhëtuan drejt Beogradit për të marrë pjesë në një aktivitet promovues të brendit ndërkombëtar Maybelline.
Pjesëmarrja e tyre nxiti kritika, ndërsa influencerja Dora Kryeziu ishte ndër të parat që kundërshtoi publikisht këtë zgjedhje.
Në reagimin e saj të parë, Aulona sqaroi se aktiviteti ishte organizuar nga një kompani me bazë në Kroaci dhe se Serbia ishte përzgjedhur si destinacion për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo pranoi gjithashtu se destinacioni nuk i kishte pëlqyer personalisht, ndaj kishte zgjedhur të mos e promovonte.
Megjithatë, diskutimet nuk u ndalën me kaq.
Përmes një reagimi të ri në Instagram, Aulona ka theksuar se nuk kishte pasur asnjëherë qëllim të lëndonte dikë, duke mbrojtur vendimin e saj për të marrë pjesë në aktivitet.
“Prapë jam krenare që në mes të Serbisë jam prezantu si shqiptare nga Kosova, për me iu tregu që asnjëherë, në asnjë fushë nuk janë ma nalt se na”, ka shkruar ajo.
Influencerja ka sqaruar se me Maybelline ka një kontratë bashkëpunimi dhe se pjesëmarrja në aktivitet ishte pjesë e obligimeve të saj profesionale.
Ajo ka theksuar gjithashtu se kishte udhëtuar me dokumente të Kosovës, duke konsideruar se në asnjë moment nuk e kishte dëmtuar reputacionin e vendit të saj.
“Shpresoj që emri i Kosovës përmendet kudo në botë, veç për mirë”, ka shtuar Aulona, duke shprehur dëshirën që aktivitete të ngjashme të brendeve botërore të organizohen në të ardhmen edhe në Kosovë.
Në fund, ajo ka falënderuar personat që e kanë mbështetur, ndërsa është shprehur se edhe vetë ishte bërë viktimë e urrejtjes gjatë kësaj situate.
“Sa ma pak urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Tu e ul dikon, asnjëherë nuk mundesh me ngrit veten”, ka përfunduar influencerja.
Reagimi i saj i fundit vjen pas disa ditësh debatesh, ku udhëtimi në Serbi ka ngritur pikëpyetje për kufirin mes angazhimeve profesionale dhe ndjeshmërisë që një destinacion i tillë vazhdon të ketë për publikun kosovar. /Prive By LS.