Avokati i Gjestit flet pas lirimit: Pranoi fajësinë dhe u gjobit me 7 mijë euro
Pas lirimit nga ndalimi, këngëtari Gjesti ka reaguar përmes përfaqësuesit të tij ligjor, duke dhënë detaje mbi ngjarjen dhe zhvillimet e fundit.
Avokati i tij, Artan Çerkini, ka folur për herë të parë publikisht në një lidhje live për “Shqipëria Live”, ku sqaroi situatën dhe masat e marra ndaj artistit.
Sipas tij, Gjesti ka pranuar veprimet e tij dhe ka shprehur pendesë për sjelljen ndaj drejtuesit të kompanisë “Onima”, duke premtuar se nuk do t’i përsërisë më.
“Incidenti, i cili ka shërbyer si pretekst për ndalimin e Gjestit, i ka paraprirë një mosmarrëveshjeje mes tij dhe kompanisë Onima, që sipas tij kjo kompani i ka borxhe këngëtarit. I revoltuar nga injorimi i kompanisë, Gjesti ka reaguar me ato që edhe ju keni parë. Ai në fakt e ka pranuar se ka thënë fjalë jo të mira, të cilat mund të kenë pasur edhe tone kërcënuese ndaj stafit. I ka dëmtuar edhe disa objekte, dhe ka pasur me vete edhe një armë pa leje. Pastaj, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë. Në seancë ai panoi fajësinë dhe kërkoi falje. Në momentin kur një i dyshuar e pranon fajësinë, nuk caktohet paraburgimi. Një i dyshuar që rrëfen ngjarjen, nuk duhet të mbahet në paraburgim. Ai menjëherë ka shfaqur shenja pendese, edhe të gjithë njerëzit që e njohin e dinë që ai nuk është i dhunshëm, por është një incident i momentit. Gjesti tha se i vjen keq për atë që ka ndodhur. Ky ishte një leksion për Gjestin.
Ndjente keqardhje. Po ashtu, premtoi se në të ardhmen nuk do të përsërisë sjellje të kësaj natyre. Me siguri, kur është liruar, ka qenë një moment emocionues, marrë parasysh edhe faktin e tragjedisë familjare.
Gjesti nuk ka asnjë masë kufizuese tani, nuk ka pengesa. Nuk është caktuar as ndonjë masë tjetër procedurale.
Ai është dënuar me kusht dhe me gjobë. Kjo është çështje penale. Ka marrë edhe një gjobë 7 mijë euro. Primare ka qenë lirimi i Gjestit. Tani ai është i lirë dhe është në një pozitë më të mirë për të marrë vendime.
Këshilla e parë për Gjestin është të mos i përsërisë më këto veprime. Mosmarrëveshjet t’i zgjidhi në rrugë ligjore”, u shpreh avokati.
Kujtojmë se Gjesti u arrestua një javë më parë pas konfliktit me drejtuesin e kompanisë, ndërsa tashmë ai është i lirë dhe pa masa kufizuese.