Harry Styles dominon listat me albumin e ri “Kiss All The Time”

Harry Styles dominon listat me albumin e ri “Kiss All The Time”

Showbiz March 14, 2026 - 18:29

Harry Styles po shënon një tjetër sukses të madh në karrierën e tij muzikore. Këngëtari britanik ka publikuar albumin e tij të katërt në studio, “Kiss All The Time”, i cili është ngjitur menjëherë në vendin e parë në Official Albums Chart.

Albumi ka arritur javën më të madhe të hapjes për një artist solo mashkull në pothuajse një dekadë, që nga albumi “Divide” i Ed Sheeran në vitin 2017.

Sipas të dhënave të Official Charts Company, albumi ka shitur mbi 183 mijë kopje brenda javës së parë, duke kaluar me rreth 70 mijë kopje edhe albumin e tij të mëparshëm, “Harry’s House”, shkruan DailyMail.

Projekti i ri ka kryesuar gjithashtu listën e albumeve më të shitura në vinyl, me më shumë se 66 mijë kopje të shitura, duke u bërë edhe vinyl-i më i shitur i vitit 2026 deri më tani.

Kënga “American Girls” nga albumi ka arritur gjithashtu vendin e parë në listën e single-ve, duke i shtuar edhe një tjetër sukses artistit që më parë ka kryesuar listat me hite si “Sign of the Times” dhe “As It Was”.

Albumi, i publikuar më 6 mars, sjell një kombinim të tingujve disco, rock dhe funk, ndërsa kritikat e para e kanë cilësuar projektin si një nga më të guximshmit dhe më eksperimentalët në karrierën e Harry Styles.