Publikohet videoklipi i këngës që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision
Kanali zyrtar i Eurovisionit ka publikuar mbrëmë videoklipin zyrtar të këngës “Nan” nga Alis me të cilin Shqipëria do të përfaqësohet këtë vit në festivalin më të madh të këngës në Evropë.
Kënga “Nan” trajton plagën e migrimit, është një rrëfim emocional për mallin, largimin dhe lidhjen e përhershme mes nënës dhe fëmijëve.
Vargjet përshkruajnë një shtëpi që dikur ishte plot zhurmë, të qeshura dhe rrëmujë, ndërsa tani është bosh dhe e qetë. Edhe në videoklip, figura e nënës paraqitet si simbol i pritjes dhe i dashurisë së pakushtëzuar, duke qëndruar në prag të derës dhe duke pritur gjithmonë kthimin e fëmijëve.
Motivi i përsëritur “nana po ju pret” dhe “nana ju po ju përcjell” thekson sakrificën dhe rolin e nënës që njëkohësisht i lë fëmijët të ndjekin jetën e tyre, por edhe mbetet gjithmonë aty për ta.
Shqipëria këtë vit në skenën e Eurovisionit do të ngjitet në gjysmëfinalen e dytë më 14 maj, në një garë me 14 shtete për të siguruar një ven për finalen e madhe më 16 maj që do të mbahet në Vjenë të Austrisë. /Zëri