Nga pesë finalistët e Big Brother VIP Kosova 4, vetëm njëri prej tyre jeton në Kosovë
Spektakli i shumëndjekur Big Brother VIP Kosova 4 ka kompletuar tashmë listën e pesë finalistëve që do të garojnë për çmimin e madh, duke shënuar një finale të veçantë si rrallëherë më parë.
Në garë për triumfin final janë Elijona Binakaj, Klodian Mihaj, Hygerta Sako, Londrim Mekaj dhe Ludo Lee, një përbërje që reflekton një shtrirje të gjerë gjeografike të shqiptarëve në Evropë.
Nga pesë finalistët, vetëm njëri jeton në Kosovë. Bëhet fjalë për artistin nga Peja, Londrim Mekaj, i cili ndonëse në fillimet e karrierës së tij muzikore, arriti të fitojë simpatinë e publikut dhe të sigurojë një vend në natën finale. Katër finalistët e tjerë jetojnë jashtë vendit, duke e bërë këtë edicion një nga më ndërkombëtarët për nga përfaqësimi.
Elijona Binakaj, e shpallur finalistja e dytë e spektaklit, është lindur dhe rritur në Gjermani dhe historia e saj personale ka prekur publikun, duke u shpërndarë gjerësisht në media dhe rrjete sociale.
Ndërkohë, Ludo Lee është një emër i njohur në botën e modës dhe makijazhit, me aktivitet profesional në Zvicër, ku ka ndërtuar reputacion si artist kreativ.
Klodian Mihaj, i njohur si Klodi, jeton dhe vepron në Itali, ku është angazhuar në modeling dhe aktrim, ndërsa Hygerta Sako, ish-missi i njohur shqiptar, është rezidente në Shqipëri dhe një nga figurat më të komentuara të këtij edicioni.
Kjo përbërje finalistësh shënon një nga rastet e rralla kur një finale e formatit Big Brother sjell konkurrentë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, duke e bërë garën jo vetëm një përballje karakteresh, por edhe një pasqyrë të diasporës shqiptare dhe rrugëtimeve të ndryshme që i kanë sjellë ata deri në natën vendimtare. /telegrafi