Rita Ora ndan mesazhe motivuese përballë kritikave online
Këngëtarja shqiptaro-britanike Rita Ora ka treguar se çdo ditë i reciton vetes "mantra" (thënie motivuese) para pasqyrës për ta ndihmuar veten të injorojë komentet negative në rrjetet sociale.
Artistja 35-vjeçare pranoi se komentet e ashpra online mund të “të presin”, por theksoi se përpiqet t’i kujtojë vetes çdo ditë se nuk mund të kontrollojë atë që të tjerët thonë.
Në një episod të ri të serisë së saj në Instagram, ajo u shpreh: “Nuk mund të kesh frikë nga diçka që nuk e kontrollon. Nuk mund ta kontrollosh, ndaj ndalo së menduari për të. Këto janë mantrat që i them vetes çdo ditë para pasqyrës”.
Ajo theksoi se rrjetet sociale të vendosin “nën një mikroskop të vazhdueshëm”, duke shtuar se pothuajse të gjithë, pavarësisht nëse janë figura publike apo jo, e kanë ndjerë ndikimin e komenteve online. “Komentet mund të të lëndojnë. Çdo gjë e vogël zmadhohet dhe të gjithë mund të shohin përtej mureve. Ndoshta një person publik ka më shumë sy mbi vete, por muret janë po aq të brishta”, tha ajo.
Megjithatë, interpretuesja e hitit “Poison” pranoi se pikërisht dyshimet ndaj vetes e ndihmojnë të krijojë muzikë më të mirë. “Dyshimet janë ato që më ndihmojnë të bëj këngë të mira. Më pëlqen të provoj, të ushtroj dhe ta përsos zanatin tim”, u shpreh këngëtarja.