Vdes në moshën 91-vjeçare aktorja Brigitte Bardot, ylli i filmave të viteve ’50-’60

Vdes në moshën 91-vjeçare aktorja Brigitte Bardot, ylli i filmave të viteve ’50-’60

Showbiz December 28, 2025 - 11:39

Ylli francez Brigitte Bardot ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.

Bardot u bë e famshme me filmin “And God Created Ëoman” (1956), të shkruar dhe drejtuar nga bashkëshorti i saj atëherë, Roger Vadim. Për dy dekada, ajo u shndërrua në ikonën e asaj që njihej si “sex kitten” e Francës.

Në fillim të viteve 1970, Bardot la kinemanë dhe u angazhua në mënyrë aktive në politikë dhe mbrojtjen e kafshëve, duke themeluar Fondacionin Brigitte Bardot në vitin 1986.

Lindur në Paris më 1934-ën në një familje të pasur katolike, Bardot nisi karrierën si balerinë dhe modele, duke u shfaqur në kopertinën e revistës Elle që në moshën 15-vjeçare. Pasi filloi të merrte role të vogla në film, ajo takoi Roger Vadim, me të cilin u martua në 1952-in. Filmi që i hapi rrugën për famën ndërkombëtare ishte “And God Created Ëoman”, ku Bardot interpretoi një adoleshente të lirë në Saint-Tropez, duke u bërë menjëherë ikonë botërore.

Përveç karrierës në kinema, Bardot pati edhe një karrierë muzikore, duke regjistruar këngë të njohura, përfshirë versionin origjinal të “Je T’Aime … Moi Non Plus” të Serge Gainsbourg.

Megjithatë, presioni i famës e bëri të largohej nga skena e filmit, duke u tërhequr plotësisht në 1973-in pas filmit historik “The Edifying and Joyous Story of Colinot”.

Si aktiviste, Bardot u angazhua në mbrojtjen e kafshëve, duke protestuar kundër gjuetisë së fokave dhe vrasjes së delfinëve, si dhe duke kritikuar trajtimin e kafshëve në shumë vende të botës.

Pas viteve 2000, ajo gjithashtu bëri deklarata politike të forta, duke mbështetur partinë e ekstremit të djathtë francez, Front National, dhe duke bërë komente që ngjallën debat mbi emigracionin dhe çështje të tjera sociale.

Bardot u martua katër herë dhe pati një jetë personale të komentuar gjerësisht nga media, romanca me emra të njohur si Jean-Louis Trintignant dhe Serge Gainsbourg.

Brigitte Bardot do të mbahet mend si një ikonë e kinemasë franceze, një figurë kulturore e paharrueshme dhe një aktiviste për kafshët. 

Image

 

Image