Sllovenia dhe Spanja konfirmojnë se do të tërhiqen nga Eurovisioni nëse Izraeli merr pjesë

Sllovenia dhe Spanja konfirmojnë se do të tërhiqen nga Eurovisioni nëse Izraeli merr pjesë

Showbiz November 28, 2025 - 09:35

Sllovenia dhe Spanja nuk planifikojnë të marrin pjesë në festivalin e këngës Eurovision, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Vjenë.

Kjo mund të ndryshojë nëse Izraeli përjashtohet nga gara, kanë bërë të ditura qëndrimet e tyre dy televizionet publike, transmeton Zeri.info.

Natalija Gorscak, kryetare e bordit të RTV Slovenia, tha se vendimi për të mos marrë pjesë mund të ndryshojë, në varësi të një votimi të enjten e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) nëse Izraeli do të lejohet të marrë pjesë.

"Nëse vendimi të enjten e ardhshme është që Izraeli nuk do të konkurrojë, ne do të propozojmë ndryshime në planin tonë të programimit dhe prodhimit dhe sigurisht do të marrim pjesë në festival", tha ajo pas një takimi më 26 nëntor, në të cilin këshilli drejtues i transmetuesit diskutoi draftin e planit të programimit.

Po ashtu, edhe Spanja njoftoi zyrtarisht të enjten se do të bojkotojë Eurovisionin nëse Izraeli merr pjesë.

Sindikata e transmetuesve kritikoi ashpër Izraelin, duke thënë se ai “ka shkelur sistematikisht rregullat e konkursit dhe i ka përdorur ato për qëllime politike në një kohë kur vendet e tjera ndëshkohen për të njëjtën sjellje”.

Asambleja e Përgjithshme e Unionit të Transmetuesve Evropianë [EBU] do të mbahet më 4-5 dhjetor në Gjenevë të Zvicrës, ku është edhe selia kryesore e këtij institucioni, e temë kryesore e diskutimeve pritet të jetë pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision 2026, pasi përveç Spanjës dhe Sllovenisë, edhe shtete të tjera evropiane kanë qëndrime të ngjashme për të përjashtuar Izraelin nga gara. /Zëri