EBU-ja me rregulla të reja për votim në Eurovision, ndalon fushata të organizuara nga qeveritë
Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka prezantuar ndryshime të rëndësishme në sistemin e votimit për Eurovision 2026, me synimin për të rritur transparencën, besueshmërinë dhe drejtësinë në garën më të madhe të muzikës live në botë – Eurovision Song Contest.
EBU-ja ka bërë të ditur se pas konsultimeve të gjera me transmetuesit pjesëmarrës, janë miratuar katër risi kryesore që do të hyjnë në fuqi që nga viti i ardhshëm, transmeton Zeri.info
Rregulla më të forta për promovimin
EBU ka forcuar Kodin e Sjelljes dhe Udhëzimet e Votimit për të parandaluar fushata të tepruara promovuese që mund të ndikojnë rezultatin. Veçanërisht, ndalohen fushatat e organizuara ose të mbështetura nga palë të treta, përfshirë qeveritë apo agjencitë shtetërore. Çdo tentativë për të ndikuar padrejtësisht votimin do të sjellë sanksione për transmetuesit apo artistët.
Më pak vota për shikuesit
Për vitin 2026, numri maksimal i votave për secilën metodë votimi (online, SMS, telefonatë) përgjysmohet nga 20 në 10. Me këtë ndryshim, fansat do të inkurajohen të shpërndajnë mbështetjen e tyre në më shumë këngë.
Rikthimi i jurive në gjysmëfinale
Pas katër vitesh mungesë, juritë profesionale rikthehen në fazën e gjysmëfinaleve. Rezultati do të përcaktohet sërish me një ndarje 50% juria – 50% publiku, ashtu si në finalen e madhe.
Juritë do të zgjerohen nga 5 në 7 anëtarë, me profile më të larmishme profesionale, përfshirë kritikë muzike, mësues, koreografë dhe figura të tjera kreative. Çdo juri do të ketë të paktën dy anëtarë të moshës 18–25 vjeç, për të reflektuar audiencën e re të Eurovizionit.
Masa të avancuara teknike kundër manipulimit
EBU do të zgjerojë bashkëpunimin me partnerin e votimit për të forcuar sistemet e sigurisë, me qëllim identifikimin dhe bllokimin e votimit të koordinuar apo të rremë. Monitorimi i pattern-eve të dyshimta do të rritet ndjeshëm për të garantuar besueshmërinë e votës së publikut.
Ndryshimet u miratuan nga Grupi Referues i Eurovisionit dhe do të zbatohen në edicionin e 70-të që do të mbahet në Vjenë më 12, 14 dhe 16 maj 2026. EBU do të monitorojë efektin e këtyre masave dhe mund të ndërmarrë përmirësime të tjera pas përfundimit të konkursit./Zëri