Skandali fashitet me fitore, përfaqësuesja e Meksikës merr kurorën e “Miss Universe”

Skandali fashitet me fitore, përfaqësuesja e Meksikës merr kurorën e “Miss Universe”

Showbiz November 21, 2025 - 11:03

Miss Meksika, Fatima Bosch, është kurorëzuar si Miss Universe në Tajlandë, duke i dhënë fund një gare të mbushur me skandale.

Në nëntor, 25-vjeçarja u largua nga konkursi i bukurisë pasi drejtuesi i tij e ofendoi në sy të dhjetëra konkurrenteve dhe kërcënoi se do të skualifikonte këdo që do ta mbështeste.

Pas një jave, dy gjyqtarë u dorëhoqën dhe njëri prej tyre i akuzoi organizatorët se e kishin manipuluar konkursin.

Miss Universe është një prej kompeticioneve më jetëgjata të bukurisë. Ngjarjet e fundit, sipas analistëve, theksojnë ndryshimet kulturore dhe strategjike mes drejtuesve tajlandezë dhe meksikanë.

Ai organizohet nga Nawat Itsaragrasil, i cili ka themeluar edhe “Miss Grand International”. Nawat ka licencën e organizimit të konkursit të këtij viti, kurse vetë organizata udhëhiqet nga biznesmeni meksikan Raul Rocha.

Nawati e qortoi Miss Meksikën para gjithë konkurrenteve se ajo nuk kishte postuar përmbajtje marketingu. Kur ajo e kundërshtoi, ai thirri truprojat dhe tha se do të skualifikonte vajzat që do ta mbështesnin. Bosch u largua dhe të tjerat iu bashkuan.

Organizata e Miss Universe e quajti “dashakeqe” sjelljen e Nawat dhe Rocha, përmes një videoje të dërguar nga Meksika, i kërkoi bashkëpunëtorit të tij “të ndalonte”.

Nawati kërkoi falje dhe tha se fjalët e tij ishin keqkuptuar, por u dërgua një delegacion i huaj që të vijonin organizimin e garës.

Në vend të dytë u rendit përfaqësuesja e Tajlandës, Praveenar Singh, kurse në pesëshen kryesore Venezuela, Filipinet dhe Bregu i Fildishtë.

Kjo është hera e katërt që Tajlanda mikpret Miss Universe dhe përfaqësuesja e vendit për këtë vit ishte kandidate kryesore për fansat.

Kurorëzimi i Miss Universe jep sinjale se organizata ka gjetur zgjidhje për të mos humbur vëmendjen dhe për t’u kthyer nga një spektakël televiziv që mbahet një herë në vit, në një ngjarje mediatike që serviret edhe në TikTok.